Situata në territorin e Qarkut Shkodër, në orët e para të mëngjesit të datës 16 nëntor 2026, paraqitet e qetë. Strukturat dhe kapacitetet e bashkive vijojnë të jenë në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme emergjente.
Në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz, situata paraqitet e qëndrueshme. Deri në këto momente, nga strukturat e Mbrojtjes Civile nuk raportohen problematika.
Sipas monitorimit të kryer nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e Qarkut Shkodër janë regjistruar rreth 40 mm reshje shiu. Nga monitorimi i kryer, nuk janë evidentuar problematika në argjinaturat mbrojtëse, kanalet kulluese dhe digën e rezervuarit të Shtodrit.
Hidrovorët e Velipojës janë funksionalë dhe në gatishmëri për të operuar me kapacitet të plotë. Gjithashtu, vijojnë inspektimet në terren për monitorimin e situatës, evidentimin në kohë të problematikave të mundshme dhe marrjen e masave përkatëse.
Prefekti i Qarkut Shkodër vijon të ndjekë nga afër situatën, në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile të njësive të vetëqeverisjes vendore, me qëllim garantimin e bashkërendimit të veprimeve dhe menaxhimin sa më efektiv të çdo situate të mundshme emergjente.




