Qeveria miraton ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara nga Serbia, duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike.
Kabineti qeveritar ka votuar pro këtij propozimi, i cili parasheh ndalimin e tregtimit të energjisë drejtpërdrejt, përmes tranzitit apo rishitjes në një ose më shumë shtete të treta.
Gjatë prezantimit të vendimit, kryeministri Albin Kurti tha se kjo masë vjen si pasojë e bllokimit të vazhdueshëm nga Serbia të alokimit komercial dhe tregtimit të energjisë elektrike në linjat ndërkufitare me Kosovën.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara sipas këtij propozimi, duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike drejtpërdrejt ose përmes tranzitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta”, deklaroi Kurti, përcjell Telegrafi.
Ai rikujtoi se më 14 dhjetor 2026 bëhen gjashtë vjet nga koha kur sistemi elektroenergjetik i Kosovës fitoi pavarësinë e plotë energjetike.
Sipas tij, që nga ajo kohë Serbia ka bllokuar alokimin komercial dhe tregtimin në linjat ndërkufitare me Kosovën, duke shkaktuar dëme financiare dhe duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike.
Kurti theksoi se bllokimi i këtyre linjave nuk lidhet me dëshirën e Kosovës për të blerë energji nga Serbia, por pamundëson shfrytëzimin e infrastrukturës së rëndësishme për importimin e energjisë nga shtetet e tjera përmes tranzitit.
“Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk ka të bëjë me atë se duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo ajo e pamundëson shfrytëzimin e infrastrukturës kritike për të sjellë energji tranzit nga shtetet tjera”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/




























