Pas denoncimeve të News24 për gjendjen alarmante në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në fshatin Halilaj të Fushë-Krujës, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim, ku në raport theksohet se landfilli që prej vitit 2003 operon pa lejë mjedisore dhe vepron në kushte të mungesës së kontrollit nga IKMT-ja.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre alarmin për katastrofën mjedisore që është shkaktuar në zonë, për të cilën Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për bllokimin e këtij aktiviteti, me rrezik për shëndetin e njerëzve, dëmtimin e florës dhe faunës.

Veç të tjerash, KLSH-ja vë në dukje edhe një mungesë të veprimit të institucioneve përgjegjëse, ku Agjencia Kombëtare e Mjedisit i ka kërkuar IKMT-së të ndërhyjë, por mungon informacioni për veprimet ose mosveprimet e inspektoratit.

Për rrjedhojë, në datën 8 maj 2026 grupi i auditimit gjatë inspektimit në terren konstatoi se depozitimi i mbetjeve të paklasifikuara, vijonte. Sipas KLSH-së, IKMT-ja nuk ka bërë asnjë ndërhyrje për ndërprerjen e aktivitetit grumbullues të mbetjeve, në shkelje të dispozitave ligjore, pasi nw landfill nuk kryhet asnjë proces riciklimi apo incenerimi me groposje, duke krijuar prag katastrofe mjedisore.

Nisur nga kjo situatë që është denoncuar disa herë nga banorët e fshatit Haliaj, të cilët vuajnë pasojat e drejtpërdrejta të ndotjes, KLSH-ja sheh të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë, Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, IKMT-së dhe Bashkisë Krujë, duke kërkuar prej tyre caktimin e një vendi sipas kushteve të caktuara për riciklim me groposje dhe me mbështetje financiare.

Qyteti i Fushë-Krujës gjeneron rreth 15.7 tonë mbetje në ditë, të cilat depozitohen në fshatin Halilaj prej 23 vitesh, ndërsa Bashkia Krujë gjeneron rreth 17 136 tonë mbetje në ditë. Sipas KLSH-së, Bashkia Krujë nuk ka një strategji për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve, ndërsa mbetjet e dy qyteteve dhe 15 fshatrave depozitohen në pika që nuk plotësojnë asnjë kriter.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb