Gratë në Britaninë e Madhe që janë dënuar për ndërprerjen e paligjshme të shtatzënisë do të marrin automatikisht falje, sipas një ndryshimi ligjor që hyn në fuqi këtë të hënë. Masa përfshin edhe gratë që kanë marrë paralajmërime nga policia, si dhe ato që janë arrestuar ose hetuar për ndërprerjen e shtatzënisë së tyre.
Sipas Euronews, vendimi vjen pas miratimit nga Parlamenti britanik të ndryshimeve ligjore që hoqën përgjegjësinë penale për gratë që ndërpresin ose tentojnë të ndërpresin shtatzëninë e tyre. Reforma shfuqizoi dispozitën përkatëse të ligjit të vitit 1861, Offences Against the Person Act.
Sipas autoriteteve, gratë e prekura nuk do të duhet të paraqesin kërkesë për falje. Gjithashtu, të dhënat për dënimet, paralajmërimet, arrestimet dhe hetimet përkatëse do të hiqen nga regjistrat penalë. Masa do të zbatohet edhe për gratë që kanë ndërruar jetë.
Qeveria britanike nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të grave që përfitojnë nga kjo nismë. Megjithatë, deputetja laburiste Tonia Antoniazzi, e cila propozoi ndryshimin ligjor, tha se në pesë vitet para votimit të vitit të kaluar policia kishte hetuar më shumë se 100 gra të dyshuara për aborte të paligjshme. Mes tyre kishte edhe gra që kishin përjetuar aborte spontane ose lindje të foshnjave të vdekura.
Drejtuesja e Shërbimit Britanik të Këshillimit për Shtatzëninë (BPAS), Heidi Stewart, e cilësoi vendimin si një ndryshim historik, duke theksuar se gratë kishin vuajtur pasojat e ligjeve të vjetruara për abortin.
“Për një kohë të gjatë, gratë janë përballur me pasojat shkatërruese të ligjeve të vjetruara për abortin”, u shpreh ajo, duke shtuar se falja nuk mund të fshijë vuajtjet dhe traumën e përjetuar, por njeh dëmin e shkaktuar nga kriminalizimi i tyre.
Sipas kuadrit ligjor në fuqi, ndërprerja e shtatzënisë në Angli, Skoci dhe Uells lejohet deri në javën e 24-t, ndërsa pas këtij afati mund të kryhet në rrethana të veçanta, për shembull kur rrezikohet jeta e nënës. Në Irlandën e Veriut, aborti u dekriminalizua në vitin 2019.
Ndryshimet ligjore u përshpejtuan pas disa çështjeve që shkaktuan reagime publike. Një prej tyre ishte rasti i Carla Foster, nënë e tre fëmijëve, e cila në vitin 2023 u dënua me më shumë se dy vite burg për ndërprerjen e shtatzënisë me medikamente rreth muajit të tetë. Një gjykatë apeli e liroi një muaj më vonë, duke vlerësuar se çështja kërkonte “dhembshuri, jo ndëshkim”.
Reforma nuk ndryshon kuadrin ligjor që rregullon ofrimin e shërbimeve të abortit nga personeli mjekësor, por heq përgjegjësinë penale për gratë që veprojnë në lidhje me shtatzëninë e tyre.