Pesë vende të BE-së pritet të shpallin planin për një qendër deportimi në Ruandë

Pesë vende europiane pritet të shpallin të hënën planet për të dërguar në një qendër deportimi në Ruandë azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar kërkesa, thanë dy burime të njohura me planet.
Gjermania, Austria, Greqia, Danimarka dhe Holanda thanë në shtator se po punonin për të arritur një marrëveshje me një vend jashtë BE-së për ngritjen e të ashtuquajturave qendra kthimi. Nisma është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë europiane për të shtuar deportimet dhe për të frenuar migracionin e parregullt.
Marrëveshja, që pritet të shpallet në Vjenë, vjen pas miratimit të rregullores së re të BE-së për kthimet, e cila synon të përshpejtojë deportimet dhe u lejon vendeve anëtare të krijojnë qendra kthimi jashtë BE-së.
Me afrimin e zgjedhjeve në disa vende të BE-së dhe përhapjen e gjerë të qëndrimeve kundër imigracionit, qeveritë janë nën presion për të treguar se mund ta kontrollojnë migracionin. Sipas analistëve, qendrat e deportimit u japin qeverive një mënyrë të dukshme për të shfaqur vendosmërinë e tyre.
Skema e re do të zbatohej vetëm për migrantët që kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore për të qëndruar në Bashkimin Europian. Plani britanik për deportimet në Ruandë, i cili u braktis, përfshinte edhe azilkërkuesit me kërkesa ende në shqyrtim.
Kush mban përgjegjësi?
Drejtuesit e pesë vendeve kanë deklaruar vazhdimisht se planet e tyre do të jenë në përputhje me të drejtën e BE-së dhe atë ndërkombëtare. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë ngritur pikëpyetje nëse të drejtat e migrantëve mund të shkelen kur ata transferohen në një vend me të cilin nuk kanë asnjë lidhje.
“Çfarë mjetesh ligjore kanë këta persona nëse u shkelen të drejtat dhe kush mban përgjegjësi?”, tha Céline Mias, drejtoreshë për BE-në në Këshillin Danez për Refugjatët. “Nëse përgjegjësia i takon shtetit anëtar të BE-së, si do të funksiononte kjo në praktikë?”
Këshilli i Europës, një organizatë paneuropiane për të drejtat e njeriut, deklaroi në korrik se qendrat e kthimit paraqesin “rreziqe të konsiderueshme për të drejtat e njeriut”.
Zyrtarët europianë që mbështesin ngritjen e qendrave thonë se synimi kryesor i kësaj politike është të frenojë migracionin e parregullt. Sipas tyre, deportimet në shkallë të gjerë nuk janë objektivi kryesor.
Ata argumentojnë se mundësia për të përfunduar në një vend të tretë, pasi u kanë paguar kontrabandistëve mijëra euro për një udhëtim të rrezikshëm drejt Europës, mund t’i bëjë disa migrantë të heqin dorë nga nisja.
Kritikët, megjithatë, thonë se ka pak prova që masat më të rrepta të zbatimit të ligjit dhe skemat e deportimit e ulin migracionin në afat të gjatë.
“Masat e kontrollit ndryshojnë mënyrën se si udhëtojnë njerëzit, jo vendimin për të udhëtuar. Disa e shtyjnë udhëtimin ose ndryshojnë itinerarin, ndërsa kontrabandistët përshtaten dhe rrisin çmimet”, tha Roberto Forin nga Mixed Migration Centre, një institut kërkimor që mbledh të dhëna përgjatë rrugëve të migracionit.
Ruanda, e gatshme të presë migrantët
Ruanda është treguar e gatshme të pranojë migrantët që vendet perëndimore duan të deportojnë, pavarësisht shqetësimeve të kahershme për respektimin e të drejtave të njeriut në vend.
Presidenti Paul Kagame është vlerësuar nga udhëheqës perëndimorë dhe të rajonit për rolin e tij në përfundimin e gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë dhe në rindërtimin e vendit, duke e kthyer atë në një destinacion për investime dhe ndihma.
Kritikët, megjithatë, e akuzojnë qeverinë e tij se shtyp zërat kundërshtues dhe mbështet grupin rebel M23 në Republikën Demokratike fqinje të Kongos. Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, grupi ka kryer vrasje, përdhunime dhe abuzime të tjera.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut vënë në dukje edhe kufizimet e lirive politike dhe të lirisë së shprehjes.
Freedom House e klasifikon Ruandën si vend «jo të lirë» dhe përmend mbikëqyrjen, frikësimin, ndalimet arbitrare dhe torturën si mjete që, sipas organizatës, përdoren për të shtypur kundërshtimin politik.
Shtetet e Bashkuara nisën vitin e kaluar të transferonin migrantë në Ruandë, në kuadër të një marrëveshjeje që u lejon të deportojnë deri në 250 persona.
Britania hoqi dorë nga plani për të dërguar azilkërkues në Ruandë, pasi Gjykata e Lartë britanike e shpalli të paligjshëm në vitin 2023. Pas braktisjes së skemës britanike, Kigali kërkoi një pagesë prej 50 milionë paundësh (63.6 milionë dollarë).
Gjatë një vizite në Kigali në shtator, dy deputetëve të Parlamentit Europian iu treguan objektet e parashikuara për skemën britanike, mes tyre edhe një hotel. Këto objekte mund të përdoren për të strehuar migrantët që do të transferoheshin nga vendet e BE-së./ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









