Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior, ka pranuar se pasiguria rreth të ardhmes së tij dhe interesimi i klubeve të tjera gjatë verës kanë ndikuar në gjendjen e tij psikologjike, duke kontribuar në startin zhgënjyes të këtij sezoni.

Gjatë një konference për shtyp të Kombëtares së Brazilit të hënën, 26-vjeçari foli hapur për ndikimin që patën negociatat për rinovimin e kontratës dhe kontaktet nga disa klube në paraqitjet e tij me fanellën e madrilenëve.


“Kjo mund të ketë ndikuar në fillimin tim të sezonit. Gjithashtu, sa i përket rinovimit të kontratës, fakti që shumë klube më kontaktuan gjatë verës, vërtet ma ngatërroi mendjen, ashtu siç ndikoi edhe situata te Real Madridi”, deklaroi Vinicius.

Braziliani nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin, pasi në 12 paraqitje me Real Madridin ka regjistruar vetëm një gol dhe tri asistime.

Megjithatë, sulmuesi beson se ende ka kohë të mjaftueshme për ta përmirësuar formën dhe për të dhënë kontribut më të madh për skuadrën madrilene.

“Sezoni është shumë i gjatë”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se pret një vazhdim më të mirë të kampanjës. /Telegrafi/