Sali Berisha e shfrytëzoi paraqitjen në SPAK për aferën Partizani, për të komentuar debatet brenda në Asamblenë e PS, ku Edi Rama shkarkoi Erion Veliajn si kreun e PS Tiranë si dhe i hoqi Elisa Spiropalit çdo funksion në parti.
“E ndoqët Asamblenë e partisë së krimit. Në Asamble fytyrat e tyre ishin secila më armiqësore e Padrinos. Nuk kam parë ndonjëherë në kolektivitet fytyra njerëzish që akuzonin kreun siç e akuzonin asamblistët. Jo se janë të ndershëm, se edhe ata janë kriminelë që kanë vjedhur e kanë plaçkitur shqiptarët, por se tani njeriu që u kishte premtuar mbrojtje po shkon atje ku e meriton. Ftoj shqiptarët të vazhdojnë protestat, të vazhdojnë t’i japin shtyrjen e fundit këtij narkodiktatori që plaçkiti Shqipërinë më shumë se të gjitha regjimet e kohërave të shkuara”, tha Berisha.
Kur u pyet nëse thirrja e tij për t’u bashkuar kundër Ramës vlente edhe për dy socialistët, Berisha e nisi përgjigjen me “kiminë” që ka me ta. Pastaj e la derën hapur për bashkëpunim me çdo faktor që kërkon të largojë Ramën.
Pyetje: Keni ftesë publike për Veliajn dhe për Spiropalin të bashkohen me ju? Nuk janë më në PS, janë anëtarë, por nuk janë më me pushtet.
Berisha: Ti e di kiminë time me to. Të gjithë faktorët që konsiderojnë Ramën të keqen më të madhe në historinë pluraliste të Shqipërisë duhet të bashkohen ta përcjellim një minutë e më parë.
Berisha u bëri thirrje forcave opozitare që të bien dakord për një qëndrim për Reformën Zgjedhore.
“U bë gjithçka që të mos kishte opozitë, por opozita qëndroi e pamposhtur ndaj të gjitha presioneve kriminale ndaj saj. Qëndron e vendosur të shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër saj. Ftojmë të gjitha forcat politike që konsiderojnë Ramën të keqen më të madhe, të gjithë faktorët, të bashkohemi për të paraqitur një kuadër ligjor, demokratik, i cili, në rast të një qeverie teknike apo kujdestare, u jep mundësi shqiptarëve të votojnë të lirë, barazon vlerën e votës së tyre. Ne nuk kemi asnjë dyshim që Rama nuk do të lëshojë asgjë në reformën zgjedhore që kërcënon pushtetin e tij. Por kjo s’do të thotë që ne të mos dalim para qytetarëve, të na shohin se ne jemi të bashkuar për listat e hapura, për një prag zgjedhor të pranueshëm nga të gjitha palët, për garantimin e koalicioneve, se është standard politik, për masat më të rrepta ligjore për shkelësit e ligjit dhe krimin elektoral. Këtë presin shqiptarët nga opozitarët”, vijoi Berisha.
Lajmi në përditësim.....

Sali Berisha sulmoi SPAK pasi u paraqit për masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani, i pandehur bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Berisha duket se hoqi dorë nga emri ‘SKAP’, duke thënë se nga sot do t’ia ndryshojë emrin Prokurorisë së Posaçme dhe do ta quajë Avokatura Speciale e Kryeministrit Kriminel Edi Rama (ASKKR). Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka nisur të lëshojë edhe partinë dhe merret vetëm me mbrojtjen e ‘padrinos’, siç ai quan Ramën.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë konferencë të mbajtur para këtij institucioni, të cilin që sot e tutje do ta pagëzojmë Avokatura Speciale e Kryeministrit Kriminel Edi Rama. Mos e harroni pra, ASKKR. I ndërrohet emri, nuk quhet më Skapi i partisë, por tani edhe partinë ka filluar ta lëshojë, por merret vetëm me mbrojtjen e Padrinos të Shqipërisë”, tha Berisha.
Para gazetarëve, lexoi edhe shënimin që la për prokurorin Altin Dumani.
“Lashë në zyrën e tyre këtë shënim: ‘Altin Troplinit, Gjokës, Hajrit, tani i shtohet edhe Ramës, Altin Rama, po, armikut të egër të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, drejtësia vonon, por nuk harron. Sali Berisha”, vijoi Berisha.







Komente
Komento