Një konflikt mes dy të burgosurve në burgun e Durrësit ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre me mjet prerës. Ngjarja është regjistruar dje ndërsa në pranga ka rënë Muharrem Bugjisha, i dyshuar si autor i plagosjes së Ilir Bibës.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), gjatë konfliktit mes dy të burgosurve, Bugjisha ka goditur me mjet prerës Bibën.
Pas arrestimit në flagrancë, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Muharrem Bugjisha dyshohet për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të parashikuara nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.
Ndërkohë, AMSEVP ka nisur verifikimet edhe për punonjësit e burgut të Durrësit, me qëllim evidentimin e shkeljeve të mundshme ligjore apo përfshirjes së tyre në ngjarje.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të detyrës nga punonjësit e institucioneve të vuajtjes së dënimit.












