Bota

Shuhet në moshën 80-vjeçare “bosi i bosëve”, themeluesi i kartelit të Guadalajarës!

Miguel Ángel Félix Gallardo, një prej figurave më të fuqishme të trafikut të drogës në Meksikë dhe themelues i kartelit të Guadalajarës, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Ai vdiq të dielën në një spital privat në qytetin e Guadalajarës, pasi ishte transferuar me urgjencë nga burgu ku vuante dënimin. Sipas autoriteteve të sigurisë në shtetin e Jalisco-s, shkaku i vdekjes ishte dështimi i shumë organeve.

I njohur me nofkën “Bosi i bosëve”, Félix Gallardo ishte një ish-oficer policie që u shndërrua në një nga drejtuesit më të rëndësishëm të trafikut ndërkombëtar të drogës. Gjatë viteve 1970 dhe 1980, ai ndërtoi një perandori kriminale, duke organizuar transportin në shkallë të gjerë të kokainës nga Kolumbia drejt Shteteve të Bashkuara dhe duke krijuar lidhje me kartelet kolumbiane, përfshirë atë të Pablo Escobarit.

Ai u arrestua në vitin 1989 dhe u dënua fillimisht me 40 vite burg për trafik droge dhe armëmbajtje. Në vitin 2017, një gjykatë e shpalli fajtor edhe për rrëmbimin dhe vrasjen, në vitin 1985, të agjentit amerikan të antidrogës, Enrique “Kiki” Camarena, si dhe të pilotit meksikan Alfredo Zavala Avelar. Për këtë çështje mori edhe 37 vite të tjera burgim.

Vrasja e agjentit Camarena shkaktoi një krizë diplomatike mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, duke rritur presionin e Uashingtonit ndaj autoriteteve meksikane për arrestimin e përgjegjësve.

Në vitet e fundit, gjendja shëndetësore e Félix Gallardos ishte përkeqësuar ndjeshëm. Ai kishte humbur shikimin në njërin sy, dëgjimin dhe nuk mund të ecte pa ndihmë. Pavarësisht dënimeve, ai kishte mohuar përfshirjen në vrasjen e agjentit amerikan dhe kishte pretenduar se ishte i pafajshëm.

Historia e ngritjes dhe rënies së tij u bë e njohur edhe për publikun ndërkombëtar përmes serialit të Netflix, “Narcos: Mexico”, ku roli i tij u interpretua nga aktori Diego Luna.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.