Një zjarr shkatërrues ka përfshirë një ndërtesë shumëkatëshe në ishullin turistik Phuket të Tajlandës, duke u marrë jetën 11 personave dhe duke lënë të plagosur 17 të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërsa banorët ndodheshin brenda ambienteve të tyre.

Sipas autoriteteve lokale, flakët shpërthyen rreth orës 02:00 në katin përdhes të objektit, ku ndodhej një biznes për dhënien me qira të motoçikletave. Zjarri u përhap me shpejtësi drejt kateve të sipërme, të cilat përdoreshin si ambiente banimi, duke u prerë rrugët e shpëtimit personave që ndodheshin brenda.

Shefi i policisë bëri të ditur se viktimat dyshohet se kanë tentuar t’u largohen flakëve duke u ngjitur në katet më të larta. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, një trup i pajetë u gjet në katin e tretë, ndërsa dhjetë viktimat e tjera u zbuluan në katin e pestë të ndërtesës.

Guvernatori i Phuketit, Chondarin Koensom, deklaroi se në ambientet ku nisi zjarri ndodheshin rreth 100 motoçikleta, si dhe materiale lehtësisht të ndezshme, përfshirë karburant, vajra motorikë, goma dhe produkte plastike.

Sipas dyshimeve paraprake, këto materiale kanë ndikuar në përhapjen e menjëhershme të flakëve, ndërsa tymi i dendur dhe toksik ka vështirësuar ndjeshëm përpjekjet e banorëve për t’u larguar nga ndërtesa.

Bilanci i tragjedisë është 11 viktima dhe 17 të plagosur. Autoritetet kanë bërë të ditur se mes personave të lënduar janë identifikuar 15 shtetas tajlandezë dhe një shtetas nga Myanmari. Nga të dhënat e deritanishme, asnjë turist nuk rezulton të jetë prekur nga ngjarja.

Ndërkohë, policia dhe ekspertët e zjarrfikësve po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.

Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me një defekt të mundshëm në rrjetin elektrik. Sipas një zëdhënësi të policisë, dyshohet se një transformator pranë ndërtesës mund të ketë shpërthyer pak çaste përpara se objekti të përfshihej nga flakët.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se shkaku përfundimtar i tragjedisë mbetet ende për t’u përcaktuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.