“Shqipëria po bën progres drejt anëtarësimit në BE”, Ursula von der Leyen: Ky është një moment i rëndësishëm

16/11/2026 11:15

Presidentja e Komisionin Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit në BE. Në fjalën e saj në Forumi i II-të i Zgjerimit të Bashkimit Evropian me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë” që po zhvillohet në Bruksel, ajo vijoi duke thënë se “ky është një moment i rëndësishëm”.

“Talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët evropian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e BP-së, vendet po bëjnë hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi. Të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, që ta kthejmë në sukses”, tha von der Leyen.

Në fjalën e saj, presidentja e Komisionit Evropian, solli në vëmendje procesin historik të zgjerimit të BE-së, duke kujtuar se 30 vite më parë diskutohej për zgjerimin më të madh të Bashkimit Evropian. Në atë kohë, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën rrugëtimin për t’u rikthyer sipas saj, në familjen e tyre evropiane.

“30 vite më parë debatohej për zgjerimin më të madh ndonjëherë të BE-së. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën të gjenin rrugën e tyre për në “shtëpi”. Zgjerimi transformoi jetën e miliona njerëzve duke nisur që nga viti 2004. Zgjerimi solli transformim të jashtëzakonshëm ekonomik. Polonia dhe Bjellorusia ishin të dyja njësoj. Sot GDP-ja e Polonisë është 3 herë më e madhe sesa e Bjellorusisë. Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet. Shtimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë. Nëse vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore do të kishin mbetur jashtë, a do t’i kishim bërë dot ballë sot Rusisë? Ato sot forcojnë kufirin tonë lindor, sepse është një kufi i BE-së. Shtetet që përgatiten për t’u futur në BE kanë shumë për të na ofruar”, u shpreh Ursula von der Leyen.

Top Channel