Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, gjatë koncertit të organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Përmes një reagimi, Kos shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian. Ajo u shpreh gjithashtu se institucionet evropiane janë të vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në rajon gjatë së kaluarës, duke nënvizuar se synimi është ndërtimi i një Evrope ku dallimet historike nuk bëhen pengesë për të ardhmen.