Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas debatit të shkaktuar nga interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, gjatë një koncerti të mbajtur në Bruksel, në prag të “Forumit të Zgjerimit”.

Kos ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e kësaj kënge nga muzikantët, duke sqaruar se mesazhi i saj nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimin zyrtar të Komisionit Evropian.

“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, deklaroi ajo.

Komisionerja theksoi gjithashtu se institucionet evropiane janë të vetëdijshme për historinë e dhimbshme të rajonit dhe sakrificat e popujve që kanë përjetuar konfliktet e së kaluarës.

“Jemi të vetëdijshëm për sakrificat e njerëzve në atë pjesë në të kaluarën. Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, u shpreh Kos.

Reagimi i saj vjen pas polemikave që shoqëruan përfshirjen e këngës serbe në aktivitetin e organizuar në kryeqytetin belg, në kuadër të një forumi kushtuar perspektivës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.