Estonia do të mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori, tha të dielën ministri i saj i jashtëm, pas një sulmi të dyshuar sabotimi ndaj një kompanie estoneze të mbrojtjes për të cilin Talini fajësoi Moskën.
Autoritetet estoneze arrestuan tetë persona gjatë natës me dyshimin për një tentativë sulmi me zjarrvënie ndaj prodhuesit të dronëve Threod Systems, që sipas tyre ishte urdhëruar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë GRU.
Në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se nëse Estonia do ta mbyllte vërtet kufirin e saj, kjo do të ishte një tjetër demonstrim i rusofobisë, raporton Reuters.
“…Nëse këto janë planet e tyre të vërteta, atëherë ata përfshihen në një tjetër periudhë të rusofobisë agresive dhe të pakufizuar”, citoi TASS të thoshte Zakharova.
Moska ka mohuar rregullisht akuzat nga autoritetet evropiane për përfshirje në operacione sabotimi.
“Rusia duhet ta kuptojë se veprimet armiqësore kundër Estonisë kanë pasoja”, tha Ministri i Jashtëm Margus Tsahkna në një postim në X.
Ai nuk specifikoi se sa do të zgjaste mbyllja e kufirit ose nëse ishte caktuar një datë përfundimi.
Estonia, një shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe një mbështetëse e fortë e Ukrainës, aktualisht ka tre pika kufitare të hapura me Rusinë në Narva, Luhamaa dhe Koidula, të cilat lejojnë kalimin e këmbësorëve dhe mallrave, sipas transmetuesit publik estonez ERR.