Çështja e pagave të magjistratëve, Prokuroria e Beratit shpall moskompetencën dhe ia kalon dosjen SPAK-ut
Prokuroria e Beratit ka shpallur moskompetencën duke vendosur të mos vijojë hetimet për kallëzimet që lidhen me përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posaçme.
Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas kallëzimit të një punonjëseje të Gjykatës së Beratit, e cila pretendoi se nuk kishte mundur të merrte pagën për muajin gusht 2026 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e re të përllogaritjes së pagave të magjistratëve. Ajo denoncoi drejtuesen e Degës së Thesarit në Berat, duke pretenduar se i kishte shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.
Gjatë hetimeve, punonjës të Gjykatës së Beratit kanë konfirmuar problemet me shpërndarjen e pagave të muajit gusht. Sipas dëshmive, konflikti nisi pasi gjykata përllogariti pagat e magjistratëve bazuar në vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese, por listëpagesa nuk u miratua nga Thesari.
Drejtuesja e sektorit të buxhetit në gjykatë ka deklaruar se nga Thesari ishte kërkuar që pagat të dërgoheshin sipas nivelit të muajit korrik, në mënyrë që të mundësohej ekzekutimi i tyre. Ndërkohë, një tjetër problem lidhej me ndarjen e listëpagesave të gjyqtarëve nga ato të administratës, procedurë që, sipas materialit hetimor, binte ndesh me udhëzimet në fuqi.
Sipas Prokurorisë Berat, duke qenë se SPAK kishte regjistruar një procedim penal për të njëjtin fakt, duke hetuar një rreth më të gjerë personash, u vendos të shpallet moskompetencë dhe t’ia kalojë dosjen SPAK-ut, i cili do të vijojë trajtimin e çështjes.
Vendimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat shpalli moskompetencë për kallëzimet e kryera mbi ndryshimet ligjore “Për një ndryshim në ligjin nr.96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe vendosi kalimin e saj Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Hetimetmbi procedimin penal nr.440 të vitit 2026, nisën pas ankesës së bërë nga shtetasja N.Xh., specialiste e protokollit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjthshëm, Berat për pamundësinë e tërheqjes së pagës së saj për shkak të kontradiktave lidhur me formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve. Kjo punonjëse denoncoi drejtuesen e thesarit, A.R. në Berat me pretendimet se i ka shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.
Pas pyetjes së personave në dijeni, punonjës të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, të gjithë pohuan problemet me kalimin e pagave për muajin gusht 2026. Shtetasja M.Sh., shefe e sektroti të buxhetit dhe menaxhimit financiar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, pranoi se punonjësit e gjykatës nuk morën në kohë pagën e muajit gusht. Ajo pohoi se përllogaritjen e pagave për këtë muaj e kreu bazuar në vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vendimin nr.435, datë 26.08.2026 për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15 viti 2026, për përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve nga data 1 Gusht 2026, sipas formulës të përcaktuar në vendimin nr.35/2022 të Gjykatës Kushtetuese e tyre. Por listë pagesa nuk u miratua nga Dega e Thesarit. Ajo pohoi se kërkoi sqarime me email nga drejtuesja e thesarit A.R. e cila e sqaroi që të dërgoheshin pagat e listë pagesave të muajit Gusht 2026 me nivelin e pagave të muajit Korrik 2026 që të bëhej i mundur ekzekutimi nga thesari.
Nga komunikimi me email zyrtar me Degën e Thesarit në datën 4.9.2026, gjykata u vu në dijeni që të dërgonim urdhër shpenzimet e pagave për personelin e administratës të gjykatës me qëllim mundësimin e ekzekutimit të pagave sa më shpejt. Por kjo nuk u realizua pas ndarja e listë pagesave veç për gjyqtarët dhe veç për administratën bie ndesh me udhëzimin nr.1 datë 21.01.2025, lidhja nr.2 e tij, pasi listë pagesa mujore është një dhe e vetme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




