Prokuroria e Beratit ka shpallur moskompetencë për hetimin e çështjes që lidhet me ndryshimet në formulën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Procedimi penal nisi pas kallëzimit të një specialisteje të protokollit në Gjykatën e Beratit, e cila pretendoi se nuk kishte mundur të tërhiqte pagën për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve. Kjo punonjëse denoncoi drejtuesen e thesarit në Berat, me pretendimet se i ka shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.

Në kuadër të hetimeve u morën në pyetje punonjës të gjykatës, të cilët konfirmuan problematikat me kalimin e pagave për muajin gusht 2026.

Listëpagesa e përgatitur në bazë të vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk u miratua nga Dega e Thesarit. Kjo e fundit kërkoi që pagat të dërgoheshin sipas nivelit të muajit korrik, ndërsa ndarja e listëpagesave për gjyqtarët dhe administratën u konsiderua në kundërshtim me udhëzimet në fuqi.

Nga hetimet rezultoi se SPAK po heton të njëjtin fakt penal, por me një rreth më të gjerë subjektesh, ku përfshihen edhe personat e përfshirë në procedimin e Prokurorisë së Beratit. Për këtë arsye, kjo e fundit ka vendosur shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e procedimit në SPAK.

Njoftimi i Prokurorisë së Beratit:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat

Prokuroria e Beratit shpall moskompetencë për çështjen e ‘pagave të magjistratëve’, ia kalon çështjen SPAK-ut

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, shpalli moskompetencë për kallëzimet e kryera mbi ndryshimet ligjore “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’” dhe vendosi kalimin e saj Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Hetimet mbi procedimin penal nr. 440 të vitit 2026 nisën pas ankesës së bërë nga shtetasja N.Xh., specialiste e protokollit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, për pamundësinë e tërheqjes së pagës së saj për shkak të kontradiktave lidhur me formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve. Kjo punonjëse denoncoi drejtuesen e thesarit, A.R., në Berat, me pretendimet se i ka shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.

Pas pyetjes së personave në dijeni, punonjës të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, të gjithë pohuan problemet me kalimin e pagave për muajin gusht 2026. Shtetasja M.Sh., shefe e sektorit të buxhetit dhe menaxhimit financiar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, pranoi se punonjësit e gjykatës nuk morën në kohë pagën e muajit gusht. Ajo pohoi se përllogaritjen e pagave për këtë muaj e kreu bazuar në vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ka marrë vendimin nr. 435, datë 26.08.2026, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15, viti 2026, për përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve nga data 1 gusht 2026, sipas formulës së përcaktuar në vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese. Por listëpagesa nuk u miratua nga Dega e Thesarit. Ajo pohoi se kërkoi sqarime me email nga drejtuesja e thesarit, A.R., e cila e sqaroi që të dërgoheshin pagat e listëpagesave të muajit gusht 2026 me nivelin e pagave të muajit korrik 2026, që të bëhej i mundur ekzekutimi nga thesari.

Nga komunikimi me email zyrtar me Degën e Thesarit, në datën 4.9.2026, gjykata u vu në dijeni që të dërgonim urdhërshpenzimet e pagave për personelin e administratës së gjykatës, me qëllim mundësimin e ekzekutimit të pagave sa më shpejt. Por kjo nuk u realizua, pasi ndarja e listëpagesave veç për gjyqtarët dhe veç për administratën bie ndesh me udhëzimin nr. 1, datë 21.01.2025, lidhja nr. 2 e tij, pasi listëpagesa mujore është një dhe e vetme.

Nga hetimet rezultoi se i njëjti procedim penal është regjistruar edhe nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila heton për të njëjtin fakt penal, por me rreth subjektesh më të gjerë, përfshirë edhe ato të hetuara prej Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, vlerëson se SPAK është prokuroria kompetente për hetimin e procedimit penal nr. 440/2026, ndaj shpall moskompetencë lëndore dhe ia kalon çështjen SPAK-ut.