Irani mund të ketë ende në arsenalin e tij deri në 2,500 raketa balistike, pavarësisht pretendimeve të përsëritura të SHBA-së dhe Izraelit se kapacitetet raketore të Teheranit janë shkatërruar. Sipas një vlerësimi të agjencive amerikane të inteligjencës, të cituar nga gazeta “The Wall Street Journal”, Republika Islamike zotëron nga 1,500 deri në 2,500 raketa, duke ruajtur një kapacitet të konsiderueshëm për të goditur objektiva ushtarake në rajon.

Raporti vjen pas sulmit iranian ndaj një baze amerikane në Bahrein gjatë fundjavës, ndërsa shqetësimet janë shtuar edhe për mundësinë që raketat e Teheranit të arrijnë objektiva shumë më larg, përfshirë bazat ushtarake amerikane në Evropë.

Simone Ledin, e cila ka shërbyer si zëvendësndihmëse e sekretarit amerikan të Mbrojtjes për çështjet e Lindjes së Mesme gjatë mandatit të parë të Donald Trump, tha se edhe vlerësimi më i ulët, prej 1,500 raketash, tregon se Irani ka arritur të rindërtojë rreth gjysmën e arsenalit që kishte përpara luftës.

Sipas saj, ky kapacitet përputhet me potencialin prodhues të Iranit, i cili kishte arritur të rindërtonte arsenalin e tij pas luftës 12-ditore të vitit të kaluar dhe përpara nisjes së konfliktit aktual.

Pavarësisht deklaratave të administratës Trump dhe qeverisë izraelite për shkatërrimin e programit raketor iranian, Teherani ka vijuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane në rajon, si dhe ndaj anijeve që përpiqen të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Shqetësim përbën edhe rritja e saktësisë së goditjeve iraniane. Analizat e sulmeve të kryera gjatë muajve qershor dhe korrik kanë treguar se ato ishin më të sofistikuara dhe synonin në mënyrë të posaçme objektiva ushtarake, përfshirë godinat ku qëndronin personeli ushtarak.

Gjatë së dielës, Garda Revolucionare e Iranit pretendoi se kishte lëshuar gjashtë dronë kundër një radari të mbrojtjes ajrore amerikane në bazën e helikopterëve Al-Rifa’a në Bahrein. Megjithatë, forcat e armatosura amerikane dhe ato të Bahreinit deklaruan se kishin arritur të kapnin sulmet e fundit iraniane. Autoritetet e vendit të Gjirit i cilësuan sulmet si një përshkallëzim të qartë të situatës.

Kërcënimet shtrihen deri në Evropë

Ndërkohë, Teherani ka zgjeruar retorikën kërcënuese edhe ndaj objektivave amerikane në Evropë. Media shtetërore iraniane paralajmëroi të dielën se raketa balistike Khorramshahr-4 mund të arrijë bazat ushtarake amerikane në kontinentin evropian, nëse pajiset me një kokë luftarake më të lehtë.

Sipas raportimeve, raketa mund të arrijë një distancë prej 3,000 deri në 4,000 kilometrash, në varësi të peshës së kokës luftarake. Një prej objektivave të përmendur konkretisht nga propaganda iraniane është baza ajrore RAF Fairford në Britaninë e Madhe, e përdorur bashkërisht nga forcat amerikane dhe britanike.

Baza ndodhet rreth 4,500 kilometra larg Iranit, çka e bën kërcënimin veçanërisht shqetësues për sigurinë evropiane, megjithëse aftësia reale e raketës për të goditur këtë objektiv mbetet për t’u verifikuar.

“Rrezja e veprimit të raketave të Iranit nuk është e kufizuar vetëm në atë që kanë parë deri më tani”, paralajmëroi media shtetërore iraniane.

Kërcënimet ndaj RAF Fairford nuk janë të reja. Irani e ka përmendur edhe më parë këtë bazë ushtarake, ndërsa regjimi është akuzuar për organizimin e një komploti terrorist që u parandalua në fund të shtatorit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb