I vunë tritolin në derën e shtëpisë, pronari: Më vranë kanarinat, s’kam probleme me drejtësinë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.11.2026, 12:01

Një shpërthim me lëndë plasëse tritol ka ndodhur rreth orës 04:30 të mëngjesit të sotëm në banesën e një 33-vjeçari në Patos. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen.

Ka qenë vetë pronari i banesës, Mateos Pashaj, ai që ka njoftuar Policinë për dëmtimin e portës së shtëpisë nga shpërthimi.

Një nga pistat ku dyshohet se mund të përqendrohen hetimet është ajo e hakmarrjes, për shkak të një ngjarjeje të rëndë kriminale të ndodhur 16 vite më parë, ku Pashaj ishte i përfshirë kur ishte ende i mitur. Bëhet fjalë për vrasjen e 17-vjeçarit Daniel Rrapushi, i cili u godit për vdekje me thikë në zemër në korrik të vitit 2010. Sipas të dhënave të policisë së asaj kohe, autor i dyshuar i vrasjes ishte Mateo Pasha, ndërsa Marjus Muskaj, i dyshuar si bashkëpunëtor, plagosi me thikë edhe shokun e viktimës, Rauf Bregun.

Ndërkohë, Mateos Pashaj rezulton aktualisht nën masën e sigurisë «arrest shtëpie» për veprën penale «Goditje për shkak të detyrës». Masa lidhet me një ngjarje të marsit të vitit të kaluar, kur ai, së bashku me tre persona të tjerë, dyshohet se dhunoi një punonjës të Policisë së Burgjeve.

Megjithatë, në një prononcim për JOQ Albania, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë problem me drejtësinë dhe se nuk ka dijeni për arsyet që mund të kenë çuar në vendosjen e tritolit.

Ai ka treguar se, përveç dëmeve të shumta materiale, shpërthimi i ka shkaktuar edhe një humbje tjetër të madhe: nga vala e shpërthimit kanë ngordhur edhe kanarinat që mbante në një kafaz në oborrin e banesës.

Për momentin, pista e hakmarrjes dhe lidhja e mundshme me vrasjen e vitit 2010 mbeten vetëm dyshime, të cilat pritet të verifikohen nga hetimet e Policisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit