Një këngë nacionaliste serbe kushtuar Kosovës, e interpretuar në aktivitetin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ka shkaktuar reagime të forta.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras e ka cilësuar atë si një provokim të qëllimshëm ose shfaqje të pastër të injorancës.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Terras ka kritikuar Komisionin Evropian dhe komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, duke kërkuar një shpjegim për atë që ndodhi në aktivitetin e organizuar në Bruksel.
“Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, përbën një gafë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”, ka shkruar Terras.