Gjatë karrierës së tij në Formula 1, Max Verstappen ka vendosur rekorde të shumta, të cilat do të jenë të vështira për t’u thyer në të ardhmen. Aktualisht, në moshën 29-vjeçare, ai mban katër tituj kampion bote radhazi, të fituar të gjithë me Red Bull.
Në dy sezonet e fundit, holandezi është përballur me një rënie të performancës së makinës së skuadrës anglo-austriake. Kjo çoi në zëra për një kalim të mundshëm te skuadra të tjera elitare, si Mercedes apo McLaren apo tërheqjen nga garat.
Në fund, ai nënshkroi një zgjatje të rëndësishme të kontratës deri në vitin 2030, një marrëveshje që pritet t’i sjellë atij fitime prej gati gjysmë miliard eurosh. Pavarësisht se Kimi Antonelli fitoi kampionatin botëror të vitit 2026, Verstappen arriti të siguronte tri fitore dhe tetë përfundime në podium gjatë këtij sezoni deri më tani.
Verstappen është i bindur se, me makinën e duhur në dispozicion, ai mund të rikthehet në majën e botës, duke besuar fort se është piloti më i mirë. “E mendoj gjithmonë këtë, përndryshe, do të tërhiqesha,” u shpreh ai për mediat holandeze.
“Është një mendim që të kalon nëpër kokë, por edhe në vitin 2015 e dija se kisha ende shumë për të mësuar. Në të njëjtën kohë, isha i vetëdijshëm se kisha potencialin për t’u bërë më i miri”, tha Verstappen.
Ndërkohë, në prag të tri garave të fundit në Las Vegas, Katar dhe Abu Dabi, piloti i Red Bull ka rikonfirmuar besimin e tij te skuadra. “Mendoj se kam pasur një sezon të mirë. Natyrisht, në Formula 1, varet edhe nga makina që ke”.
“Kohët e fundit, kemi arritur t’i bëjmë gjërat të funksionojnë sërish mjaft mirë, dhe pikërisht në këto kushte vijnë fitoret. Të them të drejtën, të jesh i dyti në kampionat është një surprizë e madhe, por ne e pranojmë me kënaqësi”, tha Verstappen.
“Kohët e fundit, makina është bërë dukshëm më konkurruese. Sa më përket mua, unë nuk dorëzohem kurrë. Nuk mund të jesh kurrë i kënaqur me një vend të gjashtë apo të shtatë. Gjithmonë përpiqem të nxjerr maksimumin nga situata”, tha holandezi.







