AKSHI anulon tenderin 2.4 milionë euro për biletat online të muzeve
Pas thuajse dy vitesh nga nisja e procedurave, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka vendosur të anulojë zyrtarisht tenderin e majmë me vlerë rreth 2.4 milionë euro për sistemin e biletimit elektronik të muzeve dhe siteve të trashëgimisë kulturore.
Vendimi është bërë publik në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik duke i dhënë fund një tenderi që ishte shpallur që në dhjetor të vitit 2024.
Objekti i kësaj procedure ishte “Biletimi qendror Online për Muzetë dhe Sitet e Trashëgimisë Kulturore. Përmirësimi i sistemit të Biletimit elektronik dhe platforma e shitjes së biletave”.
Rekord dy vjeçar
Zvarritja rekord e kësaj procedure nuk ishte thjesht një ngërç burokratik, por pasojë e drejtpërdrejtë e përplasjes së ashpër për tenderët e AKSHI-t mes dy prej grupeve më të fuqishme të tregut të teknologjisë: atij të biznesmenit Gerond Meçe (pronar i kompanisë “Advanced Business Solutions – ABS”) dhe rivalit të tij, Ermal Beqiri (pronar i “Soft & Solution”).
Kjo garë u shndërrua në një nga nyjat e luftës mes tyre: pasi AKSHI tentoi ta anulonte tenderin në mesin e vitit 2025, bashkimi i operatorëve me në krye kompaninë ABS të Gerond Meçes (së bashku me “Synapse ATS”) e ankimoi vendimin në KPP.
Edhe pse Komisioni i Prokurimit Publik i dha të drejtë Meçes në korrik–gusht 2025 duke rrëzuar anulimin, konflikti i hapur mes këtyre dy grupeve — i cili më vonë përfundoi edhe në dosjet hetimore të SPAK për tenderët e AKSHI-t — e mbajti procedurën të bllokuar për më shumë se një vit tjetër, derisa agjencia gjeti shtegun ligjor për ta anuluar sërish këtë nëntor
Arsyeja e anulimit: “Kanë ndryshuar nevojat”
Në dokumentin zyrtar të anulimit, AKSHI e argumenton këtë hap me ndryshimin e rrethanave dhe kërkesave teknike gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore. Sipas institucionit, Institucioni Përfitues ka kërkuar shtimin e moduleve dhe funksionaliteteve të reja, të cilat nuk ishin parashikuar në Termat e Referencës të hartuara dy vite më parë.
“Vijimi i procedurës mbi bazën e Termave të Referencës në formën e tyre aktuale nuk do të garantonte përputhjen e plotë ndërmjet objektit të prokurimit dhe nevojave të evidentuara nga Institucioni Përfitues”, thuhet në arsyetimin e AKSHI-t, duke shtuar se është i nevojshëm një rishikim i plotë i dokumentacionit teknik përpara se të merren angazhime financiare.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse pas rishikimit të Termave të Referencës dhe shtimit të moduleve të reja, proçedura do të tenderohet sërish nga AKSHI apo do të zhvillohet nga sh.a-ja që qeveria ka ngritur për këtë qëllim, Albania Digital Solution.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



