E hënë, 16 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

20-vjeçarja me shami që po fiton zemrat në TikTok, Jumna Demiri rrëfen paragjykimet dhe rrugëtimin si influencere

Jumna Demiri është 20-vjeçarja që ka zgjedhur të përcjellë humorin dhe pozitivitetin përmes rrjeteve sociale. Studente e mjekësisë dhe influencere, ajo është bërë pjesë e TikTok-ut, ku videot e saj tërheqin vëmendjen e ndjekësve.

Jumna mban shami që prej moshës 14-vjeçare, një zgjedhje që në fillim nuk është pritur me dëshirë nga e ëma, por që më vonë u kthye në një vendim për të cilin mori edhe mbështetjen e saj. Megjithatë, përveç vëmendjes në rrjetet sociale, ajo është përballur edhe me paragjykime për mënyrën se si duhet të sillet dhe të shfaqet një vajzë me shami në hapësirën digjitale.

E ftuar në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelajt, Jummna ka folur për stereotipet me të cilat përballet dhe mënyrën se si ka zgjedhur të mos ndikohet prej tyre.

Jumna Demiri: Ka pasur shumë paragjykime dhe komente, por që nuk i kam lejuar të më prekin. Ka stereotipe të pafundme. Mendoj se ndoshta ka të bëjë me mentalitetin e njerëzve. Ka stereotipe se si duhet të vishet një vajzë me shami, si duhet të sillet një vajzë me shami, çfarë imazhi duhet të përcjellë. Janë disa parime që një vajzë me shami duhet të ketë dhe nuk duhet t’i shkelë, por unë nuk jam një rast që duhet të shikohet me lupë dhe të gjykohet nga njerëzit. Ka plot njerëz që mendojnë se një vajzë me shami nuk duhet të jetë në TikTok. Në besim flitet për pjesën e ekspozimit, por unë e lidh gjënë me kohën që jetojmë sot. Nuk ke si të mos ekspozohesh në rrjete sociale dhe nuk mendoj se kjo është diçka e keqe për një femër. Nuk mendoj se kjo është pjesa ku duhet të fokusohemi.

Reklamë

Gjatë intervistës, ajo ka treguar edhe se si nisi rrugëtimi i saj në rrjetet sociale, duke zbuluar se ishte pikërisht e ëma ajo që e nxiti të provonte këtë eksperiencë. Sipas Jummnës, fillimisht nuk kishte një dëshirë të madhe për të publikuar video, por më pas zbuloi se kjo ishte diçka që i pëlqente.

Jumna Demiri: Mami më ka mbështetur, ka qenë ajo që më ka shtyrë edhe pse unë nuk kisha ndonjë dëshirë shumë të madhe… ose nuk e mendoja këtë pjesën e të postuarit në rrjete sociale. Mami më thoshte gjithmonë, shikoje këtë gjë se ti je vajzë që flet, ke humor. Ajo më suportoi shumë, thjesht e provova dhe më pëlqeu.

E pyetur nëse arrin të sigurojë të ardhura nga aktiviteti i saj si influencere, 20-vjeçarja ka shpjeguar se fitimet vijnë kryesisht nga bashkëpunimet me biznese dhe marka, pasi TikTok nuk ofron mundësinë e pagesës përmes shikueshmërisë në Shqipëri.

Jumna Demiri: Pagesat që marr janë nëpërmjet bashkëpunimeve, pasi TikTok nuk e ka të lejuar në Shqipëri që të paguhesh përmes shikueshmërisë. Unë në bazë të bashkëpunimeve që kryej kam arritur të nxjerr fitime.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.