Presionet e pretenduara ndaj Iva Mihajllovës dhe përfshirja e shërbimeve sekrete bullgare po hapin një debat të ri në Sofje.

Ministrja e Jashtme bullgare, Velisllava Petrova, pas publikimit të incizimeve në të cilat Mihajllova pretendon se është shantazhuar nga shërbimet sekrete, deklaroi se çështja nuk është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe se për të mbetet e paqartë se nga kanë ardhur informacionet për presionet.


“Sa kam parë nga deklarata e Iva Mihajllovës, ajo vetë pretendon se nuk ka qenë e ekspozuar ndaj presionit, kështu që për mua është paksa enigmatike se nga është shfaqur një informacion i tillë“, tha Velisllava Petrova, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Skandali në Bullgari shpërtheu pasi YouTuber-i Stanisllav Canov publikoi incizime të bisedave me Mihajllovën, në të cilat ajo pretendon se zyrtarë të Shërbimeve Sekrete Bullgare e kanë kërcënuar me ndërprerjen e ndihmës për trajtim mjekësor dhe të mbrojtjes juridike, nëse ajo nuk paraqitej në një emision të caktuar.

Opozita bullgare kërkoi hetim dhe dorëheqjen e drejtorit të DANS-it, ndërsa shërbimi sekret i hodhi poshtë kategorikisht akuzat dhe vuri në pikëpyetje vërtetësinë e incizimeve.

Ndërkohë, Mihajllova publikoi një deklaratë ku theksoi se askush në Bullgari nuk e kishte detyruar për asgjë dhe kërkoi që ta linin të qetë për të vazhduar trajtimin e saj mjekësor.

Petrova sot shprehu gjithashtu dyshime lidhur me paralajmërimet se rasti do të paraqitet pranë institucioneve evropiane, duke theksuar se nuk është e qartë se çfarë saktësisht do t’u prezantohej atyre.

Gazetari Stanisllav Canov , i cili drejton një kanal në YouTube ” e paraqiti Iva Mihajlovën si “peng” i Agjencisë Bullgare të Sigurisë Kombëtare (DANS). Sipas gazetarit, ai dhe Mihajllova po planifikonin të regjistronin një podcast më 3 nëntor, por disa orë më parë, DANS kontaktoi Mihajllovën, duke e ndaluar atë të merrte pjesë në program dhe duke e urdhëruar të takohej me gazetarin bullgar Martin Karbovski.

Siç deklaroi Mihajllova në regjistrim, ajo planifikonte të diskutonte “të gjitha rastet e bullgarëve të torturuar në Maqedoni” me Canovin, por u pengua nga DANS dhe në fund nuk shkoi në takim sepse nuk donte të rrezikonte t’i nënshtrohej rehabilitimit të specializuar./Alsat/