Real Madridi refuzon ofertën prej 60 milionë eurosh për Endrickun

Endricku mund të mbetet te Real Madridi edhe gjatë pjesës së dytë të sezonit, pavarësisht minutave të pakta që ka marrë deri më tani.
Trajneri Jose Mourinho nuk dëshiron të heqë dorë nga sulmuesi brazilian, duke bllokuar kështu mundësinë e largimit të tij në afatin kalimtar të janarit 2027.
Sipas raportimeve të mediumit italian Corriere dello Sport, AC Milani ka përgatitur një ofertë prej 60 milionë eurosh, me mundësi përfitimi edhe të 10 milionë eurove të tjera përmes bonuseve.
Në marrëveshje parashihet gjithashtu një klauzolë riblerjeje prej 80 milionë eurosh, e cila do t'i mundësonte klubit madrilen ta rikthente futbollistin në të ardhmen.

Megjithatë, Mourinho nuk është i gatshëm ta lejojë largimin e 20-vjeçarit. Strategu portugez beson se Endricku mund të ketë një rol më të rëndësishëm në muajt e ardhshëm dhe dëshiron ta mbajë në skuadër, me synimin për t'i dhënë gradualisht më shumë hapësirë në fushë.
Deri në ndërprerjen e fundit të kampionateve për shkak të angazhimeve të kombëtareve, sulmuesi brazilian kishte regjistruar vetëm 141 minuta në shtatë paraqitje zyrtare në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.
Kjo është dukshëm më pak sesa pritej pas transferimit të tij nga Palmeiras në vitin 2024, kur Real Madridi e afroi si një prej talenteve më premtues për të ardhmen.
Interesimi i Milanit lidhet pikërisht me minutazhin e kufizuar të futbollistit, pasi klubi italian synon ta përforcojë repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar dimëror.
Përveç transferimit të drejtpërdrejtë, në tavolinë është diskutuar edhe mundësia e një huazimi fillestar me opsion ose detyrim blerjeje.

Në garë për shërbimet e brazilianit është edhe Roma, e cila gjithashtu ka shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij në formë huazimi. Megjithatë, qëndrimi i Mourinhos e vështirëson realizimin e këtyre planeve.
Milani ka edhe disa lidhje që mund ta lehtësojnë afrimin e futbollistit. Në këtë proces mund të përfshihet edhe ish-ylli brazilian Kaka, i cili, sipas raportimeve nga Italia, mund të përpiqet ta bindë Endrickun për një kalim në Serie A.
Për momentin, e ardhmja e sulmuesit mbetet e lidhur me vendimin e Mourinhos dhe hapësirën që do t'i ofrojë deri në hapjen e afatit kalimtar të janarit.
Pavarësisht interesimit nga Italia dhe ofertës së majme të Milanit, trajneri portugez dëshiron ta mbajë Endrickun në Madrid. /Telegrafi/











































