“Pasioni për shahun ka nisur që në moshën 8-vjeçare. U njoha me shahun teksa po shikoja vëllain dhe babin duke luajtur. Më pas u interesova se ku mund ta ushtroja dhe më pas u prezantova me profesorin,”-shprehet fillimisht kampioni i shahut për 'Report TV'.
Këto janë fillimet e një kampioni shahu. Mateu Boçi tani është një emër i konfirmuar edhe në arenën ndërkombëtare. Më 12 nëntor ai u shpall kampion Evrope për moshën 16-vjeçare, duke triumfuar mes 106 konkurrentëve. 70% e tyre ishin me tituj ndërkombëtare, por askush nuk bëri më mirë se Mateu i cili mori 7 fitore dhe 2 barazime.
“Synimet e mia ishin të shkojë në top-10 në Evropë. Kur dola në vendin e parë, që nuk e prisja fare, ishte një emocion që nuk e përshkruaj dot. Ishte gëzim i paparë. Ishte garë shumë kompetitive dhe ky rezultat ishte shumë i papritur nga ana ime,”-tha 16-vjeçari.
“Emocione që kam ndjerë në këtë kampionat nuk i kam ndjerë në asnjë kampionat tjetër. Ishte një rivalitet i pashembullt. Një luftë e fortë sportive dhe që të fitosh në Evropë nuk është e lehtë,”-u shpreh trajneri i Mateut Kristaq Andoni.
Për ta arritur objektiva kaq të lartë, duhet që dedikimi dhe disiplina të jenë e përditshme.
“Mbaroj shkollën dhe më pas çlodhem. Mbaroj detyrat dhe mësoj për shkollën e më pas merren me shah. Përpiqem të arrij 2 orë shah në ditë dhe më pas me aktivitet sportiv, palestër, ku nxjerr streset që kam,”-deklaroi Boçi.
“I shkëlqyer. Është mjeshtri ndërkombëtar më i ri në historinë e shahut. Vetëm 16 vjeç,"-tha trajneri.
Ëndrrat e 16-vjeçarit kampion Evrope janë të mëdha. Megjithatë krahas suksesit në shah Mateu duhet të ecin mirë edhe studimet.
“Unë e shoh shahun si punë dytësore sepse parësore është profesioni që do zgjedh në shkollë. Kam qejf që të arrij titullin mjeshtër i madh në shah. Po të arrij edhe një profesion të mirë do të ishte një e ardhshme shumë e mirë për mua,”-tha 16-vjeçari.
“Për moshën që ka premton shumë, por duhet mbështetur edhe nga federata edhe nga shteti. Mbështetjen tonë dhe të familjes e ka, por kjo nuk mjafton,”-u shpreh trajneri.
Mateu Boçi para se të shapallej kampion evrope ka marrë disa çmime si kampion ballkani, por edhe vendi i tretë në Evropë.











Komente
Komento