E hënë, 16 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

Ëndrra e tifozit ukrainas bëhet realitet, udhëton për të takuar idhullin e tij, Elseid Hysajn

Dashuria për futbollin dhe idhujt e tij nuk njeh kufij. Këtë e dëshmon më së miri historia e Viktor-it, një 25-vjeçar nga Ukraina, i cili ka bërë gjithçka për të takuar nga afër mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysajn.

Tifozi ukrainas qëndroi për orë të tëra në pritje pranë hotelit ku ishte akomoduar përfaqësuesja kuqezi në Budapest, me shpresën për të takuar futbollistin që admiron prej vitesh.

Viktor është një tifoz i apasionuar i Napolit dhe e konsideron Hysajn një prej figurave të rëndësishme të historisë së klubit italian. Madje, ai tregon se mbrojtësin shqiptar e zgjidhte vazhdimisht edhe në videolojërat e futbollit.

“Jam një fans i çmendur i Hysajt. Kam luajtur futboll si qendërmbrojtës. Jam tifoz i Napolit dhe ai është legjendë e kësaj skuadre. E zgjidhja gjithmonë edhe në videolojëra. Shpresoj që ta takoj”, u shpreh 25-vjeçari.

Reklamë

Por Viktor nuk kishte ardhur duarbosh. Ai kishte përgatitur një surprizë të veçantë për idhullin e tij: një pikturë me momentet më të bukura të karrierës së Elseid Hysajt.

Pavarësisht temperaturave të ulëta në Budapest dhe pritjes së gjatë, ukrainasi nuk hoqi dorë nga dëshira e tij.

“Dua t’i dhuroj një pikturë me momentet më të bukura të karrierës së tij. Uroj që të më japë fanellën pas ndeshjes. Shqipëria besoj do ta fitojë këtë sfidë dhe do ta mbyllë në vendin e parë të Nations League”, tha ai.

Në fund, pritja e gjatë u shpërblye. Viktori arriti të takonte Elseid Hysajn dhe t’i dorëzonte pikturën e përgatitur posaçërisht për të.

Një moment emocionues që tregon se respekti dhe admirimi për një futbollist mund të kapërcejnë kufijtë dhe kombësitë. Për Hysajn, kjo ishte një surprizë e veçantë, ndërsa për tifozin ukrainas një ëndërr e bërë realitet.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.