Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Prizren, ku një grua ka humbur jetën në spital pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë marrjes në pyetje në ambientet e Policisë së Kosovës. Gruaja ishte ndaluar më 15 nëntor në pikën kufitare të Vërmicës, së bashku me një person tjetër, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin policia gjeti dhe sekuestroi 105.7 gramë kokainë, dy fishekë dhe dy telefona celularë.
Sipas njoftimit të policisë së Kosovës, e dyshuara po intervistohej në praninë e avokatit mbrojtës, kur papritur ka shfaqur probleme shëndetësore. Menjëherë është kërkuar ndihma e emergjencës, ndërsa pas marrjes së ndihmës së parë ajo është transportuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, gruaja ka ndërruar jetë rreth orës 01:30 të mëngjesit. Trupi i saj është dërguar për ekspertizë mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Ndërkohë, lidhur me rastin kanë nisur hetimet, ku është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për të zbardhur plotësisht rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja. Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet kishin sekuestruar gjithashtu dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë. Me urdhër të prokurorit, ishte kontrolluar edhe banesa e personit tjetër të dyshuar, ku u gjet dhe u sekuestrua një pajisje për identifikimin e GPS-ve dhe kamerave.
Njoftimi i policisë
E dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë.
Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm, dhe dy telefona celularë. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë, ku me urdhër të prokurorit kompetent është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç‘rast është gjetur dhe është konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS dhe kamerave. “Të gjitha njësitë kompetente policore, përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit
