AKK-ja kundërshton SBASHK-un: Komunat nuk do t’i bartin pasojat financiare të kontratave kolektive
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të SBASHK-ut, të cilët, sipas tij, po ua atribuojnë komunave përgjegjësinë për pasojat financiare të kontratave kolektive të nënshkruara në nivel qendror.
Në një reagim publik, Bordi i AKK-së ka thënë se komunat i kanë respektuar dhe mbështetur gjithmonë të drejtat e punëtorëve arsimorë, por nuk kanë kapacitete buxhetore për t’i mbuluar detyrimet financiare që dalin nga këto kontrata.
Sipas AKK-së, marrëveshjet janë negociuar dhe nënshkruar në nivel qendror, prandaj edhe përgjegjësia për sigurimin e mjeteve financiare duhet të jetë e institucioneve qendrore.
“Nuk është e pranueshme që marrëveshjet të lidhen në nivel qendror, ndërsa fatura financiare t’u kalojë komunave, të cilat nuk kanë qenë palë nënshkruese”, thuhet në reagimin e AKK-së, raporton Telegrafi.
Asociacioni ka kritikuar SBASHK-un që, sipas tij, gjatë negociimit dhe nënshkrimit të kontratave kolektive me Ministrinë e Arsimit, është dashur të kërkojë që financimi për zbatimin e tyre të sigurohej nga niveli qendror.
AKK-ja ka theksuar se komunat nuk mund t’i krijojnë vetë mjetet financiare të nevojshme për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, pasi vendimmarrja për sigurimin e financimit dhe përcaktimin e vijave të posaçme buxhetore bëhet në nivel qendror.
Në reagim thuhet gjithashtu se pasojat financiare të kontratave kolektive kanë ndikuar në buxhetet komunale, duke bërë që mjetet e destinuara për projekte dhe shërbime për qytetarët të shpenzohen për këto detyrime, si dhe për kostot e procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.
“Qëndrimi i Bordit të AKK-së është i qartë: komunat nuk janë të gatshme të bartin pasojat financiare të kontratave të reja kolektive”, thuhet në reagim.
AKK-ja ka kërkuar që çdo kontratë e re kolektive të shoqërohet me financim të plotë dhe të garantuar nga buxheti qendror, përmes një vije të veçantë buxhetore.
“Respektimi i të drejtave të punëtorëve arsimorë kërkon përgjegjësi edhe nga ata që negociojnë dhe nënshkruajnë zotimet financiare. Këto zotime duhet të kenë mbulim të siguruar financiar dhe nuk mund të vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetet komunale dhe qytetarët”, përfundon reagimi i AKK-së. /Telegrafi/





























