Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar rezultatet e sondazhit të opinionit publik për reformën në drejtësi në Kosovë.
Eriola Muhaxhiri nga KDI, gjatë prezantimit të rezultateve, tha se qytetarët kërkojnë një sistem të drejtësisë më efikas, më të pavarur dhe me mekanizma më të fortë të llogaridhënies.
“Sa i përket pyetjes se sa të pavarur janë gjyqtarët dhe prokurorët nga ndikimet e jashtme, vetëm 8.5% e qytetarëve besojnë në pavarësinë e plotë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa 41% e tyre besojnë se ata janë deri diku të pavarur, ndërsa 37.3% e qytetarëve besojnë se janë deri diku apo aspak të pavarur”, tha Muhaxhiri.
Ajo bëri të ditur se rreth 51 për qind e qytetarëve besojnë se gjyqtarët përzgjidhen dhe avancohen në bazë të aftësive profesionale dhe rezultateve në punë.
“Në pyetjet se a përzgjidhen gjyqtarët dhe prokurorët sipas meritës, kemi një vlerësim pozitiv meqenëse rreth 51% e qytetarëve besojnë se gjyqtarët përzgjidhen dhe avancohen mbi bazën e aftësive të tyre profesionale dhe rezultateve në punë. Mirëpo kjo dallon dhe qytetarët janë të ndarë në mendimet e tyre apo janë pak më kritikë kur bie fjala te masat disiplinore apo edhe te vlerësimi i performancës së gjyqtarëve”, deklaroi ajo.
Sipas saj, 41.4 për qind e të anketuarve vlerësojnë se performanca e gjyqtarëve vlerësohet rregullisht dhe në mënyrë të paanshme, ndërsa 38.8 për qind besojnë se ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkelin rregullat merren masa.
“Në pyetjen se a i përfundojnë gjykatat lëndët brenda një kohe të arsyeshme, kemi një numër mjaft të lartë të qytetarëve apo të anketuarve të cilët thonë se 48.4% e të anketuarve thonë se nuk përfundohen lëndët brenda një kohe të arsyeshme në gjykata”, tha Muhaxhiri.
Ajo theksoi se gjysma e qytetarëve të anketuar besojnë se nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në gjykata.
“50.6% e qytetarëve besojnë se nuk mund të realizohen të drejtat e tyre në gjykata dhe prandaj edhe nuk i drejtohen fare gjykatave”, u shpreh Muhaxhiri.
Ndërsa, sa i përket përvojës personale të qytetarëve me sistemin gjyqësor, ajo tha se 28 për qind e tyre e kanë vlerësuar përvojën si shumë të mirë ose deri diku të mirë, ndërsa 20 për qind si deri diku të keqe ose shumë të keqe.
“28% e qytetarëve kanë thënë se përvoja e tyre është shumë e mirë ose deri diku e mirë, 20% e qytetarëve kanë thënë se përvoja e tyre është deri diku keq ose shumë keq, ndërsa 47.1% e qytetarëve apo e të anketuarve tregojnë se nuk kanë pasur rast apo nuk kanë pasur lëndë që është trajtuar në gjykata”, deklaroi ajo./EO