Në komisionin parlamentar të Kulturës, ku diskutohej buxheti për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, diskutimet u fokusuan te zhvillimet e fundit politike në vend. Kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, tha se mbledhja e Asamblesë së PS-së të shtunën, ishte si pleniumet dikur. Ajo ftoi deputetët socialistë t’i bashkohen protestës, për t’i paraprirë përjashtimeve të mundshme nga partia.

““Shoh që paskeni ardhur pas vakisë së të shtunës.  E pashë dhe kujtova nga arkivat Pleniumet e Partisë atë që kishte lënë mangut Partia e Paunës. Ky i binte Pleniumi i 18 ku udhëheqësi shpalli armiqtë e brendshëm. PS është kthyer në zgjatim personal të Ramës që merret vetëm me hallet e një grupi njerëzish që rrethojnë atë për të mbajtur karrigen. Ngado shkoni do të keni protestën që ju ndjek dhe protestë madhështore në 28 nëntor.  Fundi do të jetë i shpejtë dhe i hidhur për këdo që i shërben në mënyrë të verbër atij që shkatërron të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Ju bëj thirrje të reflektoni që të mos jeni të radhës që përjashtoheni ose thjesht hiqeni nga listat e radhës, por reagoni në mbrojtje të dinjitetit të qytetarëve, tuajën dhe të mirës sa pa qenë radha juaj”, tha Zhupa.

Në përgjigje, deputetja e PS-së, Briseida Çakërri,  tha: “Ju nuk mund të flisni për armiq të brendshëm se nuk dini ku keni drejtuesin, mos u merrni me thashetheme partish por diskutojmë rendin e ditës”

“Ju shkon për shtat thënia e Ramës: hëngshit kokat e njëri- tjetrit”, vijoi më tej Zhupa. 

Deputetja e PS Evis Kushi, i sugjeroi të shohë situatën në PD.

“Mirë bëni që studuoni e lexoni plenumet e partisë së punës, edhe statutin e PS, se përvojë është, por në vend të merreni me partinë tonë merruni me tuajën, me demokratët, se i keni lënë jetimë, i keni lënë në mes të rrugës”, tha Kushi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:38
'Ju ftojmë të aplikoni tek 'Këshilltari që duam'”, Ramion Kurti ironizon Zhupën pas kritikave për Asamblenë e PS: Dorëzo mandatin se kot e ke

Debati për Asamblenë e Partisë Socialiste vijoi në Komisionin e Kulturës, këtë herë mes deputetit socialist Ramion Kurtit dhe deputetes demokrate Ina Zhupa. Pas kritikave të kësaj të fundit, e cila e krahasoi mbledhjen e socialistëve me plenumet e Partisë së Punës, Kurti i është kundërpërgjigjur duke sjellë në vëmendje përplasjen mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për selinë e PD-së. Kurti mbrojti mënyrën se si zhvillohen diskutimet brenda Partisë Socialiste, duke theksuar se në forumet e saj trajtohen problematika të ndryshme.

“Në forumet e PS-së diskutohet gjatë dhe gjerë për problematika të ndryshme. Lajm i mirë nga Asambleja e PS-së është platforma për ‘Këshilltarin që duam’. Ju ftojmë edhe të aplikoni. Dorëzo mandatin se kot e ke. Është një platformë që do ta afrojë më shumë këshilltarin dhe qytetarin”, tha Kurti.

Ndërsa për kritikat ndaj zhvillimeve të brendshme në PS, ai solli si shembull konfliktin e dikurshëm mes Berishës dhe Bashës për kontrollin e selisë së Partisë Demokratike.