Një studim shkencor që ka zgjatur deri në 19 vjet ka zbuluar një lidhje shqetësuese mes zakoneve të gjumit gjatë ditës dhe rrezikut të vdekshmërisë tek të moshuarit. Studiuesit kanë analizuar të dhënat e 1338 personave dhe kanë zbuluar se ata që flinin më gjatë gjatë ditës ose bënin dremitje më të shpeshta kishin një rrezik më të lartë për të humbur jetën gjatë periudhës së ndjekjes.
Një nga gjetjet më të veçanta lidhet me orarin e gjumit. Personat që flinin gjatë paradites kishin një rrezik vdekshmërie rreth 30% më të lartë krahasuar me ata që flinin pasdite. Gjithashtu, çdo orë shtesë gjumi gjatë ditës lidhej me një rritje prej rreth 13% të rrezikut të vdekshmërisë, ndërsa çdo dremitje shtesë në ditë lidhej me një rritje prej 7%.
Për të realizuar studimin, studiuesit përdorën pajisje monitorimi të vendosura në kyçin e dorës së pjesëmarrësve, duke regjistruar periudhat e pushimit dhe aktivitetit për dhjetë ditë. Më pas, këto të dhëna u krahasuan me ecurinë shëndetësore të tyre gjatë viteve.
Shkencëtarët theksojnë se studimi nuk provon se gjumi gjatë ditës shkakton vdekshmëri. Përkundrazi, dremitjet e gjata dhe të shpeshta mund të jenë shenjë e sëmundjeve të fshehura, çrregullimeve të gjumit apo problemeve të tjera shëndetësore. Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open.
© SYRI.net