Forcat jemenase tërhiqen për të mbrojtur qytetin portual nga rebelët Huthi

Forcat qeveritare në Jemen të mbështetura nga Arabia Saudite kanë njoftuar tërheqjen e trupave nga zona strategjike pranë Ngushticës Bab el-Mandeb, për t’i përforcuar pozicionet ushtarake në qytetin e Adenit, kryeqytetin e përkohshëm të vendit.

Vendimi vjen pas disa javësh luftimesh të intensifikuara me rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, të cilët kanë zgjeruar kontrollin në disa zona strategjike të Jemenit.

Forcat e Armatosura Jugore, që luftojnë në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, kanë bërë të ditur se po tërheqin trupat nga aeroporti i Dhubabit dhe zona përreth Bab el-Mandebit, me qëllim të përforcimit të vijave të frontit dhe përballjes me kërcënimet ekzistuese.

Në deklaratën e tyre, ato kanë theksuar se siguria e Adenit dhe e rajoneve përreth është prioritet, raporton BBC.

Ndërkohë, mediat e kontrolluara nga Huthit kanë raportuar se kjo lëvizje ka bërë që rebelët të marrin kontrollin e territoreve të braktisura nga forcat qeveritare. Arabia Saudite nuk ka komentuar ende zhvillimet.

Tërheqja shënon fundin e një ofensive disa-javore të forcave proqeveritare për të siguruar kontrollin mbi zonën pranë Ngushticës Bab el-Mandeb, një korridor jetik për transportin ndërkombëtar detar, që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit.

Huthit kishin marrë kontrollin e kësaj zone në një ofensivë të befasishme në shtator. Në fillim të tetorit, forcat proqeveritare pretenduan se e kishin siguruar ngushticën, ndërsa rebelët thanë se kishin marrë nën kontroll edhe ishullin Perim dhe qytetin port strategjik të Mokhas.

Huthit kanë deklaruar se nuk përbëjnë kërcënim për anijet tregtare ndërkombëtare që kalojnë nëpër këtë ngushticë, por kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të shënjestrojnë anijet që lidhen me Arabinë Saudite.

Marrja e kontrollit mbi këtë zonë ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke kontribuar në rritjen e çmimeve të naftës. Arabia Saudite ishte mbështetur në rrugën detare përmes Detit të Kuq për eksportimin e naftës, pasi lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit kishte bllokuar praktikisht Ngushticën e Hormuzit.

Zëdhënësja e të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara, Ravina Shamdasani, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile.

Ajo ka bërë të ditur se, që nga përshkallëzimi i luftimeve në gusht, më shumë se 60 për qind e viktimave civile të dokumentuara kanë qenë gra dhe fëmijë.

Huthit kanë kryer disa sulme ndaj Adenit gjatë javëve të fundit. Në njërin prej tyre, më 15 tetor, u shënjestrua pallati presidencial, ku pesë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën.

Në përgjigje, Arabia Saudite ka kryer qindra sulme ajrore, ndërsa Huthit kanë lëshuar qindra dronë dhe raketa drejt qyteteve dhe infrastrukturës saudite.

Sipas Kombeve të Bashkuara, përshkallëzimi i luftimeve ka detyruar afro 330 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre. Qindra të tjerë raportohet se janë vrarë.

Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi rrëzuan qeverinë nga kryeqyteti Sana. Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur një koalicion shtetesh arabe i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri ushtarakisht për të rikthyer qeverinë në pushtet.

Një armëpushim jozyrtar, që kishte zgjatur katër vjet, nisi të shpërbëhej në korrik, kur Huthit shpallën një “bllokadë detare” ndaj Arabisë Saudite dhe nisën sulme me raketa e dronë ndaj aeroporteve, objekteve të naftës dhe cisternave saudite në Detin e Kuq.

Rebelët kanë pretenduar se sulmet e tyre janë kundërpërgjigje ndaj bllokadës saudite të porteve dhe aeroporteve në territoret e kontrolluara prej tyre, si dhe ndaj një sulmi ajror në aeroportin e Sanas, për të cilin kanë fajësuar Arabinë Saudite.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika