Kroacia siguroi një fitore 2-1 ndaj Çekisë në Ligën e Kombeve, por vëmendja e kësaj mbrëmjeje ishte përqendruar edhe te kapiteni Luka Modric. Futbollisti i Milanit zbriti për herë të 208-të në fushë me fanellën e kombëtares kroate, duke barazuar kështu rekordin e Lionel Messit për numrin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Tashmë, Modric ka nevojë për vetëm një paraqitje tjetër për të kaluar i vetëm në vendin e dytë të kësaj renditjeje prestigjioze. Në krye qëndron Cristiano Ronaldo me 234 ndeshje me Portugalinë. Një shifër që për momentin duket e vështirë për t’u arritur nga mesfushori kroat, por që nuk e zbeh aspak madhështinë e rekordit të tij.
Karriera e Modric është një histori suksesi, e ndërtuar përmes paraqitjeve të jashtëzakonshme në disa prej klubeve më të mëdha të Europës. Pas aventurës me Dinamo Zagrebin, kroati u transferua te Tottenham në vitin 2008, për shumën e 22.5 milionë eurove. Me skuadrën londineze regjistroi 127 ndeshje, përpara se në vitin 2012 të niste një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij.
Real Madridi pagoi 35 milionë euro për ta transferuar në Spanjë dhe vendimi rezultoi historik për të dyja palët. Gjatë 13 sezoneve me fanellën e bardhë, Modric zhvilloi 597 ndeshje zyrtare, realizoi 43 gola dhe regjistroi 95 asistime. Në këtë periudhë fitoi plot 28 trofe, mes tyre katër tituj të La Ligës dhe gjashtë trofe të Champions League.
Pas largimit nga Madridi në vitin 2025, mesfushori vendosi të nisë një sfidë të re në Itali, duke iu bashkuar Milanit. Megjithatë, pavarësisht ndryshimit të kampionatit dhe fanellës së klubit, lidhja e tij me kombëtaren kroate mbetet e pandryshuar.
