“Procesi i integrimit i bazuar në meritë”, Rama: BE na torturon, vendi më i sofistikuar i diktaturës
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel, ku ka mbrojtur procesin e integrimit të bazuar në meritë. Gjatë panelit me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, Rama u shpreh kundër ideve për krijimin e formave alternative të integrimit, duke theksuar se procesi aktual është një mundësi që e ndihmon Shqipërinë të forcojë institucionet dhe kapacitetet e saj.
Në panelin e moderuar nga Suzanne Lynch, drejtuese e zyrës së Bloomberg në Bruksel, ku ishin të pranishëm edhe kryeministrat e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, Milojko Spajić dhe Hristijan Mickoski, si dhe Komisioneri Europian Valdis Dombrovskis dhe eurodeputeti Thijs Reuten, Rama deklaroi se e ka mbështetur prej kohësh procesin e integrimit të bazuar në meritë.
Edi Rama: Jo vetëm që nuk e kundërshtoj, por kam luftuar për këtë gjë prej një kohe të gjatë. Plani i ri i rritjes është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe e BE-së vetë. Sepse hendeku ende vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë kapacitete për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme.
Mendoj se përpjekjet për të bërë gjëra si ato që ju përmendët, si anëtar i asociuar për Ukrainën, nuk shkojnë askund. E para, sepse është një gënjeshtër; e dyta, sepse nuk ka të bëjë me ndryshimin e instrumentit të integrimit të BE-së, që është një proces i mbështetur në meritë.
E kam parë këtë me sytë e mi dhe jam përpjekur ta ndaj në të gjitha mënyrat bindjen se procesi i bazuar në meritë është një dhuratë për ne. Është një proces i cili na bën të aftë të bëjmë gjëra që nuk do të ishim në gjendje t’i bënim.
Për fat të mirë, jemi në mes të Europës dhe kemi BE-në. BE-ja është burimi më i jashtëzakonshëm i dijes se si ndërtohen institucionet dhe si krijohet një sistem që funksionon në vetvete. Po kështu, është vendi më i sofistikuar i diktaturës.
Shqipëria sot është një vend krejtësisht ndryshe falë këtij procesi. Të kërkosh të kesh diçka ndryshe nga procesi i bazuar në meritë është njësoj si të marrësh një patentë pa ditur t’i japësh makinës. Rrezikon veten, rrezikon edhe të tjerët. Europa nuk ta jep këtë gjë.
Ajo që mungon është politika. Mendoj që Komisioni ka të drejtën të na torturojë dhe e bën në mënyrë të përsosur. Ndërkohë, ne përmirësohemi falë kësaj torture.




