Bota

Rritje alarmante e abuzimit seksual me fëmijët përmes IA-së, shtohen me 8,400% rastet në dy vite

Përdorimi i inteligjencës artificiale për krijimin e materialeve me përmbajtje abuzimi seksual ndaj fëmijëve po shënon një rritje alarmante në mbarë botën.

Një studim ndërkombëtar i realizuar nga studiues të Institutit Global të Sigurisë së Fëmijëve Childlight, pranë Universitetit të Edinburgut në Skoci, zbulon se fotografitë dhe videot e këtij lloji të krijuara me inteligjencë artificiale janë rritur me më shumë se 8,400% në vetëm dy vjet.

Sipas të dhënave të studimit, rastet e raportuara në nivel global janë shtuar me të paktën 395,300 nga viti 2023 deri në vitin 2025. Materialet e abuzimit seksual me fëmijë, të krijuara përmes mjeteve të inteligjencës artificiale dhe të raportuara nga kompanitë amerikane në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar, kanë kaluar nga rreth 4,700 në vitin 2023 në më shumë se 400 mijë në vitin 2025.

Fenomeni përfshin edhe krijimin e imazheve të rreme përmes teknologjisë deepfake dhe aplikacioneve që mundësojnë manipulimin e fotografive, duke vendosur fytyrën ose trupin e një fëmije real në materiale me përmbajtje seksuale. Këto manipulime mund të realizohen brenda pak sekondash.

Megjithëse imazhet nuk paraqesin ngjarje reale, pasojat për fëmijët janë konkrete dhe mund të jenë shkatërruese. Studiuesit paralajmërojnë se këto materiale mund të përdoren për shantazh, zhvatje parash apo për të detyruar viktimat të dërgojnë fotografi dhe video të tjera reale.

Studimi jep gjithashtu një panoramë shqetësuese për përmasat e shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet. Sipas vlerësimeve, më shumë se 300 milionë fëmijë në mbarë botën përjetojnë të paktën një formë të shfrytëzimit seksual të lehtësuar nga teknologjia. Po ashtu, vlerësohet se një në katër fëmijë mund të përjetojë një formë abuzimi përpara se të mbushë 18 vjeç.

Autorët e studimit theksojnë se rreziku nuk prek vetëm fëmijët e zakonshëm, por edhe personazhet e njohur, fotografitë e të cilëve mund të manipulohen dhe të përdoren për krijimin e materialeve të rreme me përmbajtje seksuale.

Një tjetër problem i evidentuar nga kërkimi është mungesa e të dhënave të plota dhe të besueshme për këtë fenomen. Nga 103 vendet e analizuara në tre rajone të botës, vetëm 22 prej tyre dispononin të dhëna gjithëpërfshirëse për abuzimin ndaj fëmijëve, si në internet ashtu edhe jashtë tij.

Sipas Institutit Childlight, në statistikat publike mbeten të nënpërfaqësuar disa prej kategorive më të cenueshme, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët indigjenë dhe emigrantë, ata që janë nën kujdesin e shërbimeve sociale, fëmijët shumë të vegjël, si dhe ata që përjetojnë abuzim nga anëtarët e familjes.

Studiuesit paralajmërojnë se mungesa e informacionit të plotë pengon hartimin e politikave efektive për parandalimin e abuzimit dhe mbrojtjen e të miturve, ndërsa zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale e bën gjithnjë e më urgjente përballjen me këtë problem global.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.