Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldinho, është rikthyer në fushën e blertë 11 vite pas tërheqjes, duke dhuruar sërish momente spektakolare për tifozët. Edhe pse tashmë 46 vjeç, ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit ka treguar se talenti dhe teknika që e bënë të famshëm në mbarë botën vazhdojnë ta shoqërojnë.
Megjithatë, paraqitja e tij e fundit mund të jetë vetëm fillimi i një serie rikthimesh. Këtë e ka lënë të kuptohet vëllai dhe njëkohësisht agjenti i tij, Roberto de Assis Moreira, i cili në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” ka folur për të ardhmen e brazilianit.
“Gjithmonë e dija se herët a vonë ai do të luante përsëri. Karriera e njërit prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave nuk mund të përfundonte në atë mënyrë”, deklaroi Roberto de Assis.
Sipas tij, ajo që e ka surprizuar më shumë është periudha e gjatë që Ronaldinho ka qëndruar larg fushës përpara se të vendoste të rikthehej, veçanërisht duke marrë parasysh moshën e tij.
I pyetur nëse ish-futbollisti do të luajë sërish në Ravenë, vëllai i tij nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke lënë të hapur perspektivën e paraqitjeve të tjera.
“Nuk mendoj se kjo do të jetë ndeshja e tij e vetme në këtë qytet të bukur. Kur vëllai im të vendosë se ka ardhur vërtet momenti për t’u ndalur, do të gjejmë mënyrën më të mirë për t’u përshëndetur me tifozët”, u shpreh ai.
Por planet e familjes së Ronaldinhos duket se shkojnë përtej një ndeshjeje të vetme lamtumire. Roberto de Assis ka zbuluar idenë e organizimit të disa takimeve në kontinente të ndryshme, për t’u dhënë mundësinë tifozëve në mbarë botën ta shohin edhe një herë në aksion legjendën braziliane.
“Jo vetëm një ndeshje lamtumire, por shumë të tilla, në Brazil, Evropë, Azi dhe në të gjithë botën”, theksoi ai.
Deklaratat e vëllait të tij tregojnë se Ronaldinho mund të vazhdojë të shfaqet në ndeshje speciale, përpara se të organizojë një përshëndetje përfundimtare me publikun.
Për tifozët që e kanë ndjekur gjatë viteve të arta të karrierës, kjo do të ishte një mundësi për të shijuar sërish driblimet, pasimet dhe spektaklin që e kthyen brazilianin në një nga futbollistët më të dashur të historisë.
