Procesi i anëtarësimit në BE, Rama nga Forumi i Zgjerimit: Më të torturuarit janë ata që vijnë pas, Komisioni ka qenë më kërkues

16/11/2026 15:11

Kryeministri Edi Rama ka komentuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë gjithnjë e më kërkues për vendet kandidate që vijnë pas.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e II të Zgjerimit, Rama theksoi se Komisioni Europian e ka sofistikuar procesin dhe se çdo vend përballet me kushte më të vështira se paraardhësit.

Sipas Ramës, Shqipëria dhe Mali i Zi, në të njëjtën fazë të procesit, kanë përmbushur më shumë detyrime për anëtarësimin në BE krahasuar me vendet që janë pranuar më herët.

“Kushdo që është, nga ne të pestë që jemi këtu mund të flasë dhe mund të thotë që ky proces është shumë më kërkues, ashtu siç ka qenë më parë. Nuk është se ne kemi bërë ndonjë gabim dhe tani po mundohemi të shmangim gabimet. Jo, çdo vend që vjen më pas ka një proces më të vështirë që duhet të përmbushë, sepse Komisioni e sofistikon.

Ata më të torturuarit janë ata që vijnë më pas. Nëse sot shihni Shqipërinë ose Malin e Zi që krahasohen, kandidatët e pranuar më parë, në të njëjtën fazë, ne kemi bërë më shumë për anëtarësimin dhe procesin. Në çdo hap na është kërkuar të përmbushim rregullat që duhet t’i zbatojmë kur hyjmë. Do të thoja që është kështu, por është sfiduese”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Top Channel