36 organizata rinore dhe sportive kanë përfituar grante nga skema EU4YOUTH, e financuar nga Bashkimi Evropian me një fond prej rreth 1,67 milionë eurosh. Ministri Blendi Gonxhja njoftoi se nga 113 aplikime janë përzgjedhur 24 organizata që do të realizojnë projekte për pjesëmarrjen qytetare, vullnetarizmin dhe angazhimin në komunitet, si dhe 12 të tjera që do të fokusohen te sporti, veçanërisht te përfshirja e vajzave dhe të rinjve me aftësi të kufizuara.
“Duam që kjo mbështetje të ndihet konkretisht në jetën e tyre, në mundësitë që kanë për t’u zhvilluar, për të punuar dhe për të kontribuar në komunitetet ku ata jetojnë”, u shpreh Gonxhja.
Ministri bëri të ditur se gjatë vitit 2026, përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, janë ofruar 1.207 vende praktike, për të cilat janë regjistruar 3.181 aplikime.
Ndërkohë, përmes thirrjeve të gjashtë dhe të shtatë të Agjencisë Kombëtare të Rinisë janë mbështetur 32 organizata për projekte rinore, ndërsa një fond prej 20 milionë lekësh është vënë në dispozicion për iniciativat e grupeve joformale.
Gonxhja njoftoi se thirrja për grupet joformale rinore vijon të jetë e hapur, duke i ftuar të rinjtë të aplikojnë me idetë e tyre. Në fushën e artit dhe kulturës, sipas ministrit, janë mbështetur rreth 90 artistë dhe krijues të tjerë, përmes një fondi prej 25 milionë lekësh.
Për vitin 2027 janë parashikuar edhe shtatë projekte të infrastrukturës rinore, që do të shtrihen në disa zona të vendit, nga Himara në Bulqizë dhe nga Divjaka në Vaun e Dejës.
“Sigurisht, kemi ende shumë punë për të bërë. Por është e rëndësishme që çdo hap të na afrojë për të plotësuar nevojat reale të të rinjve. Sepse për ne, mbështetja për rininë nuk është thjesht një politikë publike apo një zë në buxhet. Është përgjegjësia për t’u dhënë të rinjve më shumë arsye për të besuar tek e ardhmja e tyre këtu, në Shqipëri”, deklaroi Gonxhja.












Komente
Komento