Sport

Garë për presidencën e FIFA-s, francezi Philippe Diallo favorit për kandidaturën, nuk kursen kritikat për Infantinon

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, është shfaqur papritur si një kandidat i mundshëm për të sfiduar Gianni Infantinon në garën për presidencën e FIFA-s.

UEFA po përpiqet të gjejë një kandidat që do të përballet me Infantinon në zgjedhjet e marsit, ndërsa afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon të mërkurën.

Diallo është kthyer në favoritin kryesor për të marrë mbështetjen e UEFA-s, pasi përpjekjet për të bindur një ish-futbollist apo trajner të njohur të hynte në garë nuk dhanë rezultat. Megjithatë, edhe emra të tjerë mbeten në shqyrtim.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pritet ta diskutojë çështjen të hënën, ndërsa për kandidaturën do të kërkohet edhe mbështetja e 55 federatave anëtare.

Në shtator, Diallo kritikoi ashpër Infantinon, duke e akuzuar se kishte dëmtuar rëndë imazhin dhe unitetin e futbollit.

“Nismat e tij gjatë dhe pas Kupës së Botës kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe unitetin e futbollit. Për këtë arsye, ne besojmë se besimi është thyer”, deklaroi ai.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse mbështetja e UEFA-s për Diallon do t’i jepte fund përpjekjeve të Kozo Tashimës, president nderi i Federatës Japoneze të Futbollit, për të sfiduar Infantinon.

Tashima, i cili është anëtar i Këshillit të FIFA-s, gëzon mbështetjen e disa figurave me ndikim brenda UEFA-s. Megjithatë, drejtuesit e organizatës mund të vlerësojnë se Diallo ka më shumë mundësi të sigurojë vota edhe nga federatat e kontinenteve të tjera.

Mbështetja e mundshme për Diallon do të shënonte një ndryshim të strategjisë fillestare të UEFA-s, e cila synonte të kandidonte një figurë të njohur të futbollit, qoftë ish-lojtar apo trajner.

Mes emrave të përfolur ishte edhe ish-trajneri i Arsenalit, Arsène Wenger, aktualisht drejtues i zhvillimit global të futbollit në FIFA, por përfshirja e tij në garë do të kërkonte një ndryshim të madh qëndrimi.

Interes për kandidimin mësohet se kanë shprehur edhe ish-futbollistët Mikaël Silvestre dhe Didier Drogba, por asnjëra prej kandidaturave të tyre nuk u konkretizua.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.