Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2025, brenda ambienteve të gjykatës.

Në bankën e të akuzuarve do të ulen Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj. Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e funksionarit publik, tentativën e vrasjes së dy personave të tjerë dhe armëmbajtjen pa leje. Ndërsa Gjon Shkambi akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, në bashkëpunim, të mbetur në tentativë. Për punonjësin e sigurisë rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Sipas hetimeve, të shtënat që i morën jetën gjyqtarit Kalaja, erdhën pas vendimit në disfavor të familjes Shkambi lidhur me një konflikt pronësie. Elvis Shkambi hapi zjarr dhe mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj që ishin palë kundërshtare në proces.

Tashmë, përtej hetimeve dhe akuzave të ngritura nga Prokuroria, vendimmarrja i kalon gjykatës për të përcaktuar përgjegjësitë penale të secilit prej të pandehurve.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë