Një grup intelektualësh serbë ka depozituar një kallëzim penal ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç, duke e akuzuar për rrezikim të rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Serbisë.
Mes personave që kanë firmosur kallëzimin janë akademikë, profesorë dhe ish-deputete nga Kosova.
Në dokument pretendohet se Vuçiç ka cenuar rendin kushtetues me deklaratat e tij për demarkacionin mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas paditësve, presidenti ka promovuar një platformë private për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përmes ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, pa autorizimin e institucioneve shtetërore.
Kallëzimi penal pritet të dorëzohet në Pallatin e Drejtësisë në Beograd, ndërsa organizatat kanë paralajmëruar edhe një konferencë për media.
Nënshkruesit kërkojnë nga organet kompetente që të shqyrtojnë menjëherë pretendimet, të nisin hetimet dhe të verifikojnë nëse presidenti ka shpërdoruar kompetencat e tij.










