Poloni/ Arrestohen tre adoleshentë, dyshohen se po përgatitnin një sulm terrorist
Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Polonisë (ABW) ka arrestuar tre adoleshentë, të dyshuar për përgatitjen e një sulmi terrorist. Lajmi është bërë i ditur nga Tomasz Siemoniak, ministri përgjegjës për shërbimet speciale, përmes një postimi në rrjetin social X.
Sipas ministrit, të dyshuarit, një 16-vjeçar dhe dy 17-vjeçarë, kishin lidhje me një lëvizje ndërkombëtare neonaziste.
Hetuesit kanë përqendruar vëmendjen te dy 17-vjeçarët, të cilët, sipas autoriteteve, kishin shkëmbyer informacione përmes aplikacioneve të komunikimit online lidhur me eksplozivë artizanalë, armë zjarri të improvizuara dhe materiale piroteknike që dyshohej se do të përdoreshin në një sulm terrorist.
Gjatë kontrollit në një ambient të përdorur nga njëri prej të dyshuarve, zyrtarët e ABW-së sekuestruan edhe substanca kimike që mund të përdoreshin për prodhimin e lëndëve plasëse.
Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për dy 17-vjeçarët, ndërsa 16-vjeçari është dërguar në një institucion korrektues për të mitur.
Arrestimet vijnë pas një sulmi të fundit të kryer nga një person i armatosur në sheshin qendror të Krakovit, ku humbën jetën gjashtë persona. Qeveria polake ka deklaruar se autori mund të jetë frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë, pretendim që është kundërshtuar nga opozita nacionaliste.
Agjencia Reuters raporton se nuk ka mundur të identifikojë apo të kontaktojë përfaqësuesit ligjorë të të dyshuarve.
Ndërkohë, hetimet vijojnë dhe prokurorët po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në aktivitetet e grupit, si dhe për të zbardhur të gjithë shtrirjen e veprimtarisë kriminale që dyshohet se ishte planifikuar.
Kështu bëri të ditur Prokuroria Rajonale në Gdansk përmes një deklarate.




