“Do ta prisja në një tubim nacionalist dhe në Gazimestan, por jo në Komisionin Evropian” – Emini reagon ashpër nga Brukseli për këngën serbe për Kosovën

Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka kritikuar ashpër interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Bruksel, në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar të papranueshme përzgjedhjen e një kënge që përmban pretendime territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
Gjatë fjalimit të saj në forum, Emini tha se ngjarja e kishte detyruar ta ndryshonte tërësisht fjalimin që kishte përgatitur, ndërsa e nisi paraqitjen duke lexuar disa vargje të këngës së interpretuar një natë më parë, shkruan Telegrafi.
“Popull serb, thërrit fort. Kosovë, nuk do të të dorëzojmë. Ti gjithmonë ke qenë e jona. Kështu ka qenë që nga kohët e lashta”, citoi ajo, duke theksuar se kënga përmban pretendime të drejtpërdrejta territoriale ndaj Kosovës.
Emini ngriti pikëpyetje nëse institucionet evropiane e kuptojnë kompleksitetin politik dhe ndjeshmëritë historike të Ballkanit Perëndimor.
“Pas asaj që ndodhi mbrëmë, vërtet pyes veten nëse ata i kuptojnë kompleksitetet e rajonit, edhe pse po flasim për një Komision Evropian që është mjaft afër këtij rajoni”, deklaroi ajo.
Ekspertja tregoi se kishte vendosur të merrte pjesë në forum pasi kishte vërejtur mungesën e përfaqësuesve nga Kosova në listën e folësve, ndërsa theksoi se prania e saj si përfaqësuese e shoqërisë civile nuk mund ta zëvendësonte përfaqësimin institucional.
Në një nga momentet më të fuqishme të fjalimit, ajo tha se nuk do të befasohej nëse një këngë e tillë do të dëgjohej në tubime nacionaliste apo në një tubim të Slobodan Millosheviqit, por ishte befasuar që ishte interpretuar në një aktivitet të Komisionit Evropian.
“U befasova shumë kur e dëgjova në Komisionin Evropian, një projekt paqeje, një projekt që po e udhëheq rajonin drejt demokracisë”, u shpreh Emini, transmeton Telegrafi.
Ajo sqaroi se kundërshtimi i saj nuk kishte të bënte me gjuhën apo muzikën serbe, duke theksuar se do ta mirëpriste interpretimin e këngëve shqipe dhe serbe që promovojnë bashkëjetesën dhe tejkalimin e ndarjeve.
Në përfundim, Emini i bëri thirrje Bashkimit Evropian të mos riprodhojë narrativa nacionaliste dhe revizioniste që kanë penguar pajtimin në Ballkan.
“A mundeni të paktën të mos i riprodhoni narrativat revizioniste dhe propagandistike të një regjimi që e përçau rajonin dhe që e bëri pajtimin kaq të vështirë deri më sot?”, pyeti ajo.
Fjalimi i saj u mbajt më 16 nëntor, një ditë pas interpretimit të këngës serbe në mbrëmjen hapëse të forumit në Bruksel.
Fjalimi u bë në Bruksel në takimin në kuadër të forumit "Përmes pajtimit drejt zgjerimit të Bashkimit Evropian". /Telegrafi/






































