Gazetarja Klodiana Lala, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë është dërguar për gjykim në GJKKO.
E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Lala u ndal te deklaratat e kreut të SPAK, Klodian Braho, duke zbuluar se paralelisht me dosjen e dërguar në gjykatë, prokurorët po verifikojnë edhe procedura të tjera tenderuese.
Duke iu referuar deklaratave të Brahos, Lala tha: “Nga kjo dosje që është dërguar për gjykim në GJKKO është ndarë një fraksion që ka të bëjë me procedura të tjera tenderuese, të cilat po kalojnë në sitën e prokurorëve të posaçëm, për atë që konsiderohet shkelje e barazisë në tendera.”
Për këtë arsye, gazetarja e cilësoi këtë zhvillim si nisjen e asaj që mund të konsiderohet “Dosja Balluku 2”.
“Mund të themi se SPAK ka nisur Dosjen Balluku 2, edhe pse emri i Ballukut ende nuk është regjistruar si person nën hetim. Ka nisur verifikimi për procedura të tjera tenderuese, por po kryhet hetimi vetëm për regjistrimin e veprave penale dhe nuk ka persona të regjistruar nën hetim ende”, sqaroi Lala.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ishte kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut. Sipas Lalës, kreu i SPAK, Klodian Braho, bëri të ditur se institucioni i qëndron ende kërkesës së depozituar në Kuvend në vitin 2025 për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres dhe autorizimin e arrestimit të saj.
“Zoti Braho tha një detaj. SPAK i qëndron kërkesës që bëri në vitin 2025 për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, sepse sipas tij, kërkesa e parë e dorëzuar në Kuvend plotësonte kriteret. Prokurorët shkuan në Kuvend me kërkesën për arrestimin e Ballukut me bindjen se plotësoheshin kriteret për një masë më të rëndë kufizuese ndaj saj”, deklaroi gazetarja.
Ajo theksoi se, pavarësisht rrëzimit të kërkesës nga mazhoranca, SPAK nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij fillestar.
Sa i përket mundësisë së paraqitjes së një kërkese të dytë për arrestim, Lala tha se nga shpjegimet e Brahos u kuptua se raporti i mazhorancës, me të cilin u rrëzua kërkesa e SPAK, e kishte vendosur Prokurorinë e Posaçme në një pozicion të vështirë për të ndërmarrë një nismë të re.
“Braho la të kuptohet se raporti i mazhorancës, që rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, e bënte Prokurorinë e Posaçme të kishte duart e lidhura dhe të mos mund të paraqiste një kërkesë të re. Por ai sqaroi se pozitën e Ballukut e kanë rënduar hetimet e thelluara”, u shpreh Lala ndër të tjera.
LEXO EDHE:
10 tendera, 26 të pandehur dhe 2 kompani/ SPAK çon Ballukun në gjyq, zbardhen të gjithë emrat













