Me 14 dhjetor 2026, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, duhet të mbahen zgjedhjet e parakohëshme për rektorin, pasi pozicioni është vakant që nga dorëheqja e ish- rektorit Tonin Gjuraj. Zyrtarisht, procesi ka nisur me 13 nëntor, sipas urdhrit të Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi. Megjithatë, ka një teknikalitet që duhet të shqyrtohet e të zgjidhet.
Komisioni Intsitucional i Zgjedhjeve (KIZ), aktualisht nga 7 anëtarë që duhet të ketë, ka vetëm 5. Janë dorëhequr Petër Saraçi dhe Ingrit Tirana, i cili ishte edhe kryetare e KIZ. Për të plotësuar këtë vakuum institucional, këtë të mërkurë, 18 nëntor 2026, do të mblidhet Senati Akademik i UNISHK, i cili do të miratojë dy zëvendësit.
Sipas Rregullores së Zgjedhjeve të UNISHK, do të jenë Fakultetet që do të propozojnë përfaëqsuesit e tyre në KIZ. Kështu, Fakulteti Ekonomik, duhet të propozojë zëvëndësin e Peter Saraçi dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, duhet të propozojë zëvendësin e Ingrit Tirana. Pasi të plotësohen vakancat, në mbledhjen e parë të konstituimit, KIZ zgjedh nga radhët e tij edhe kryetarin.
Ndërsa duhet të përmbushen të gjitha këto procedura, ditët kalojnë dhe deri në këtë moment, zyrtarisht për garën për rektor, ka vetëm një kandidat, Blerta Dragusha, e komanduar pas dorëheqjes së rektorit Gjuraj. Kandidatë potencialë të artikuluar në rrjete sociale apo media online, të kontaktuar nga ShkodraWeb thonë se presin fillimin zyrtar të punës nga KIZ, i cili ka detyrimin që në fushatë zgjedhjet, të mblidhet jo më pak se 3 herë në javë. KIZ do të përcaktojë afatet për paraqitjen e kandidaturave, do të miratojë komsionet e zgjedhjeve në fakultete si dhe do të zyrtarizojë kandidatët për rektor. /ShkodraWeb/





