Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë vizitës së tij të ardhshme në Kinë. Deklarata u bë nga Shtëpia e Bardhë, pak para nisjes së Trump drejt Azisë, ku në axhendën e tij janë parashikuar takime me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë rus, Vladimir Putin.
“Ne do të jemi me presidentin Xi… do të takohemi edhe me presidentin Putin dhe mund të takohemi edhe me Kim Jong Un”, u tha Trump gazetarëve.
I pyetur nëse takimi me liderin koreano-verior mund të zhvillohej në Kinë, presidenti amerikan u përgjigj se kjo ishte e mundur, por theksoi se gjithçka varej nga presidenti Xi Jinping.
Trump pritet të udhëtojë fillimisht drejt Manilës, ku do të marrë pjesë në samitin e vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), përpara se të vijojë vizitën në Shenzhen të Kinës, për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku marrin pjesë 21 vende të rajonit.
Gjatë kësaj vizite, ai ka në program edhe takime me Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Sipas Shtëpisë së Bardhë, bisedimet mes tre liderëve do të përqendrohen te përhapja bërthamore dhe lufta në Lindjen e Mesme, e cila nisi në shkurt pas bombardimeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit.
Një takim i mundshëm me Kim Jong Un do të përbënte një tjetër zhvillim të rëndësishëm në raportet mes Uashingtonit dhe Phenianit, por deri tani nuk ka konfirmim se një takim i tillë do të zhvillohet.

