Deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se Propozim-Buxheti për vitin 2027 nuk garanton zhvillim apo rritje të standardit të jetesës. Sipas tij, Qeveria po zgjeron shpenzimet aktuale, ndërsa fondet për investimet kapitale dhe programet zhvillimore në sektorët kryesorë mbeten të pamjaftueshme ose janë shkurtuar.
Kovaçevski tha se qytetarët nuk e matin buxhetin nga shuma e miliarda denarëve që planifikon të shpenzojë Qeveria, por nga ndryshimet konkrete në jetën e tyre: qasja më e shpejtë te mjeku, arsimi më cilësor për fëmijët, mundësia për të përballuar një banesë, ajri më i pastër dhe aftësia e fermerëve për të siguruar jetesën nga puna e tyre.
Të lidhura
None found
Shqetësim të veçantë, sipas tij, përbën pakësimi me rreth 60 përqind i fondeve për rindërtimin dhe zgjerimin e institucioneve publike shëndetësore.
Ai nënvizoi se këto investime janë të domosdoshme për përmirësimin e kushteve në spitale dhe modernizimin e infrastrukturës së sistemit shëndetësor.
“Sistemi shëndetësor duhet të sigurojë lista më të shkurtra pritjeje, disponueshmëri më të mirë të ilaçeve, diagnostikim në kohë dhe mbajtje të stafit mjekësor, në vend të angazhimeve deklarative dhe rritjes së buxhetit pa rezultate konkrete”, theksoi Kovaçevski.
Duke folur për arsimin, deputeti i LSDM-së bëri të ditur se, ndonëse për këtë sektor janë parashikuar rreth 49 miliardë denarë, shpenzimet e Ministrisë së Arsimit për zhvillim do të reduktohen me 28.5 përqind. Sipas tij, fondet për ndërtimin e shkollave fillore do të shkurtohen me 59.5 përqind, ndërsa ato për shkollat e mesme me deri në 72.3 përqind.
Kovaçevski paralajmëroi se këto shkurtime do të sjellin më pak investime në shkolla moderne, përmirësimin e kushteve për nxënësit, zhvillimin e aftësive dixhitale, stafin profesional dhe infrastrukturën kërkimore.







