U përjashtua nga forumet, por si e harroi “Skënderbeu” nenin 37 që mbron “Mamicën”
Edi Rama ka vendosur të largojë Elisa Spiropalin nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste, por vendimi i shpallur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare duket se përballet me një pengesë në vetë statutin e partisë. Pavarësisht qëndrimit të kryeministrit, një dispozitë e dokumentit themeltar të PS-së parashikon që ish-kryetarët e Kuvendit të jenë automatikisht pjesë e Asamblesë Kombëtare.
Çështja u bë publike gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë, ku Rama kërkoi largimin e Elisa Spiropalit dhe deputetit Plarent Ndreca nga forumet partiake. Edhe pse pati kundërshtime gjatë diskutimeve, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, njoftoi largimin e tyre, duke pranuar se për këtë vendimmarrje nuk ishte zhvilluar një votim.
Por mënyra se si u komunikua vendimi ka ngritur pikëpyetje mbi respektimin e rregullave të brendshme të partisë, veçanërisht në rastin e Spiropalit, e cila ka mbajtur më parë postin e Kryetares së Kuvendit.
Sipas variantit përfundimtar të statutit të Partisë Socialiste, neni 37, pika 2, përcakton se në përbërjen e Asamblesë Kombëtare bëjnë pjesë automatikisht, pra ex officio, edhe anëtarët e partisë që kanë ushtruar më parë funksionin e Kryetarit të Kuvendit.
Duke qenë se Elisa Spiropali ka drejtuar Kuvendin e Shqipërisë, pozicioni i saj në këtë organ nuk lidhet me një emërim të drejtpërdrejtë nga kryetari i PS-së apo me një votim të zakonshëm për anëtarësim. Ai buron nga një parashikim i posaçëm i statutit.
Pikërisht këtu qëndron edhe kontradikta e ngritur nga dispozitat e dokumentit partiak. Neni 38 përcakton se Asambleja Kombëtare është organi që zgjedh Kryesinë e Partisë Socialiste, ndërsa neni 22 parashikon shkarkimin nga organet e zgjedhura partiake si masë disiplinore, në përputhje me procedurat përkatëse.
Në këto kushte, largimi nga Kryesia dhe humbja e statusit të anëtares së Asamblesë janë dy çështje të ndryshme. Spiropali mund të mos jetë më pjesë e Kryesisë së PS-së, por dispozita e nenit 37, sipas interpretimit të paraqitur, vazhdon t’i garantojë asaj anëtarësinë në Asamblenë Kombëtare për shkak të funksionit që ka mbajtur më parë.
Kjo e vendos vendimmarrjen e Ramës përballë një pikëpyetjeje statutore: a mund të mjaftojë një kërkesë e kryetarit dhe një njoftim nga Sekretari i Përgjithshëm për të ndërprerë një anëtarësi që parashikohet drejtpërdrejt në statutin e partisë?
Mbetet për t’u parë nëse Elisa Spiropali do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare dhe nëse do të kërkojë respektimin e dispozitës që i njeh këtë të drejtë.
Për momentin, situata paraqet një kontrast të dukshëm brenda Partisë Socialiste: nga njëra anë, Rama ka kërkuar dhe shpallur largimin e saj nga forumet drejtuese, ndërsa nga ana tjetër, statuti i vetë partisë përmban një dispozitë që duket se e mban Spiropalin pjesë të Asamblesë Kombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



