E hënë, 16 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Nëna e Monika Kryemadhit kërkon pafajësi: Jam pensioniste, nuk kam lidhje me 846 mijë eurot
Lajme

Nëna e Monika Kryemadhit kërkon pafajësi: Jam pensioniste, nuk kam lidhje me 846 mijë eurot

Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalljen e pafajësisë për akuzën e pastrimit të parave, si dhe rrëzimin e kërkesës së SPAK për konfiskimin e vilës së saj në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë.

Përmes një dokumenti prej 81 faqesh, avokatet e saj, Flutura Kona dhe Esmeralda Rama, kanë paraqitur kundërshtimet ndaj pretendimeve të Prokurorisë së Posaçme për burimin e parave të përdorura në blerjen e apartamenteve, shlyerjen e kredive dhe përfitimin e pasurive të paluajtshme.

Një prej çështjeve kryesore të debatit gjyqësor është shuma prej 846 mijë eurosh, të cilën SPAK e konsideron të pajustifikuar nga pikëpamja e burimeve të ligjshme dhe e lidh me transaksionet financiare të familjes Meta-Kryemadhi.

Mbrojtja pretendon se Prokuroria nuk ka arritur të individualizojë qartë veprimet financiare që përbëjnë këtë shumë, të përcaktojë origjinën e secilit transaksion dhe, mbi të gjitha, të provojë se Fatime Kryemadhi kishte dijeni për ndonjë burim të paligjshëm të parave.

Avokatet kundërshtojnë gjithashtu lidhjen që SPAK përpiqet të vendosë mes pasurive të familjes dhe çështjes CEZ-DIA. Në këtë kontekst, ato i referohen një komunikimi të datës 22 qershor 2009, ku përmendet shuma prej “200 mijë”.

Sipas argumenteve të mbrojtjes, mesazhi nuk përcakton nëse bëhet fjalë për euro apo për një monedhë tjetër. Për rrjedhojë, sipas tyre, nuk ka prova të mjaftueshme që kjo shumë të konsiderohet 200 mijë euro dhe të lidhet me pagesa të kryera nga Kastriot Ismailaj, përfitime të Ilir Metës apo kalime fondesh te Fatime Kryemadhi.

Një tjetër argument i paraqitur në gjykatë lidhet me kohën kur janë blerë apartamentet në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë. Mbrojtja këmbëngul se këto prona janë blerë në mars të vitit 2010, përpara krijimit dhe regjistrimit të kompanisë DIA dhe marrëveshjeve të saj me CEZ-in. Ky element përdoret për të kundërshtuar lidhjen kohore dhe financiare që Prokuroria pretendon mes pasurive dhe aktivitetit të kompanisë.

Në fokus të konkluzioneve janë edhe 138 mijë eurot që Fatime Kryemadhi i ka transferuar vajzës së saj, Monika Kryemadhi, gjatë vitit 2009. Sipas të dhënave të paraqitura nga SPAK, shuma është kaluar në tri transferta bankare prej 21 mijë, 70 mijë dhe 47 mijë eurosh.

Nga totali, Prokuroria konsideron të justifikuara 100 mijë euro, të cilat i lidh me aktivitetin e kompanisë AGI KONS, ndërsa për 38 mijë eurot e mbetura ngre pikëpyetje mbi burimin financiar. Në llogaritjen e saj përfshihen edhe 75 mijë euro të ardhura të pretenduara nga qiradhënia për një periudhë 25-mujore, duke e çuar diferencën e konsideruar të pajustifikuar në rreth 113 mijë euro.

Por avokatet kundërshtojnë këtë përllogaritje, duke kërkuar që gjykata të shqyrtojë dokumentacionin e plotë të pagesave të qirasë, lëvizjet bankare dhe të ardhurat e deklaruara nga klientja e tyre.

Një tjetër pikë e debatit është kredia prej 335 mijë eurosh, e marrë në mars të vitit 2010. Sipas SPAK, prej kësaj kredie janë transferuar 100 mijë euro për blerjen e apartamentit të Monika Kryemadhit, ndërsa dy shuma të tjera, përkatësisht 200 mijë dhe 34.500 euro, janë tërhequr nga llogaria bankare.

Prokuroria pretendon se këto tërheqje janë përdorur për pagesa shtesë ndaj Mirvjen Ninos, në lidhje me apartamentin. Ky version kundërshtohet nga mbrojtja, e cila pretendon se 200 mijë eurot janë tërhequr nga vetë Fatime Kryemadhi dhe kërkon verifikimin e mandateve bankare mbi të cilat mbështetet akuza.

Në dokumentin e paraqitur në GJKKO, avokatet vënë në diskutim edhe ekspertimin financiar të kryer gjatë hetimeve. Sipas tyre, analiza nuk ka përfshirë të gjithë dokumentacionin bankar, kontratat noteriale dhe burimet e të ardhurave të paraqitura prej mbrojtjes. Ato kërkojnë që gjendja financiare e Fatime Kryemadhit të analizohet edhe për periudhën përpara vitit 2003, duke argumentuar se një vlerësim i pjesshëm nuk mund të japë një pasqyrë të plotë të pasurisë së saj.

Vila në Kodrën e Diellit, kërkohet rrëzimi i konfiskimit

Një prej kërkesave kryesore të mbrojtjes është rikthimi i vilës në zonën e Kodrës së Diellit, për të cilën SPAK ka kërkuar konfiskimin përfundimtar.

Sipas dokumentacionit të paraqitur nga avokatet, prona është përfituar përmes një marrëveshjeje shkëmbimi me kompaninë AGI KONS, së cilës Fatime Kryemadhi i ka kaluar dy njësi dhe një garazh.

Prokuroria kërkon që vila të konfiskohet si pasuri me vlerë ekuivalente me produktin e pretenduar të veprës penale, duke e vlerësuar atë në rreth 186.945 euro.

Mbrojtja, nga ana tjetër, pretendon se nuk është provuar asnjë lidhje konkrete mes kësaj pasurie dhe fondeve që SPAK i konsideron me origjinë kriminale. Në mbështetje të argumenteve të saj, ajo sjell edhe vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të datës 17 dhjetor 2024, përmes të cilit ishte hequr sekuestroja preventive e vendosur më herët mbi vilën.

Avokatet theksojnë gjithashtu se Fatime Kryemadhi është pensioniste dhe se vila përbën të vetmen pasuri të paluajtshme në pronësi të saj. Për këtë arsye, ato kërkojnë që gjykata të marrë në konsideratë edhe pasojat që do të kishte konfiskimi mbi gjendjen e saj ekonomike.

Në fund, mbrojtja kundërshton edhe vendimin për veçimin e çështjes së Fatime Kryemadhit nga procesi gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Sipas saj, transaksionet financiare dhe provat e administruara janë të ndërlidhura dhe duhet të shqyrtohen në tërësinë e tyre, pa nxjerrë përfundime të parakohshme për përgjegjësinë e personave që po gjykohen në procese të ndara.

Tashmë i takon GJKKO-së të vlerësojë argumentet e mbrojtjes dhe provat e paraqitura nga SPAK, për të vendosur mbi përgjegjësinë penale të Fatime Kryemadhit dhe fatin e vilës në Kodrën e Diellit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.