Rindërtimi në Tiranë, qeveria përgatit fondin prej 1.8 miliardë lekësh për Kombinatin dhe lagjen “5 Maji”
Procesi i rindërtimit në kryeqytet pritet të marrë një shtysë të re financiare dhe institucionale. Ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht bashkëdrejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Ervin Demo, bëri të ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale se po finalizohet mbështetja buxhetore për të përshpejtuar ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti.
Mbështetja financiare dhe zonat prioritare
Pas drejtimit të mbledhjes së grupit të punës për rindërtimin, ministri Demo sqaroi se fondi i dedikuar synon mbylljen e projekteve të banimit në dy prej zonave kryesore të kryeqytetit.
“Jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së mbështetjes prej 1,8 miliardë lekësh nga buxheti i qeverisë qendrore për Bashkinë Tiranë, për të përshpejtuar ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti në Kombinat dhe lagjen ‘5 Maji’ në Tiranë”, deklaroi ai.
Koordinimi ndërinstitucional dhe afatet e punimeve
Për të garantuar zhbllokimin e proceseve që kanë penguar ecurinë e deritanishme të punimeve, po bashkëpunohet ngushtë me disa institucione kyçe. Në takimin e grupit të punës morën pjesë dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi; drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli; drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Rroka si dhe përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi
Lidhur me dinamikën e punës dhe përgjegjësitë e institucioneve, Demo theksoi nevojën për respektimin e afateve dhe ndjekjen e vazhdueshme të procesit deri në përfundimin e plotë të tij.
“Vështirësitë mes institucioneve duhet t’i zgjidhim ne. Familjet nuk duhet të vazhdojnë të presin për shkak të tyre. Për çdo çështje të hapur duhen përgjegjësi të qarta dhe afate që respektohen”, u shpreh ministri, duke shtuar se ecuria do të monitorohet me “takime të rregullta dhe kontrolle në terren, deri në përfundimin e banesave dhe dorëzimin e çelësave”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








